Tiranë, 13 tetor 2011, NOA - “Progres raporti do të jetë axhenda e parlamentit dhe çdo kapitull i tij do të lexohet me vëmendje. Ligjet e kërkuara do të jenë gjithmonë në rend të ditës dhe çdo çështje e ngritur do të jetë platformë e punës sonë". Ky ka qenë mesazhi që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka përcjellë sot kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i cili i dorëzoi sot zyrtarisht kryetares së Kuvendit, Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2011. “Këtë raport do ua dorëzoj krerëve të grupeve parlamntare duke i ftuar edhe një herë ata të punojmë së bashku për reformat dhe ligjet integruese. Integrimi është një objektiv parësor kombëtar dhe në parlament të gjithë deputetët kanë detyrën të reflektojnë këtë mendim unanim të qytetarëve, përmes votës së tyre. Bojkoti dhe bllokimi kanë dëmtuar Shqipërinë dhe si Kryetare e Kuvendit dhe si politikane ndihem keq që për interesa personale të dikujt, të dëmtohen qytetarët”, tha Topalli. Nga ana e tij Kreu i delegacionit të BE-së Sequi vlerësoi angazhimin për ta bërë raportin në një axhendë parlamentare “Integrimi është dhe duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar. Ne mbetemi të gatshëm, të punojmë së bashku për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian”, ka deklaruar Sekui sipas zyrës së shtypit të Kuvendit të Shqipërisë. a.q/NOA