Tiranë, 13 tetor 2011, NOA – Autoritetet shqiptare të kufirit në aeroporin e Rinasit kanë kthyer mbrapsht 43 iranianë, të cilët do të qëndronin në tokën shqiptare disa ditë ku do të ishin pjesë e kampionatit të mundjes për veteranët, i cili që do të zhvillohet në Tiranë në datat 14 - 16 tetor. Burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Aviacionit Civil konfirmuan se, policia ka bërë të mundur kontrollin e 43 iranianëve të cilët kishin mbërritur në Rinas nga Turqia me linjë ajrore. “Pas verifikimit për dokumentacionin apo edhe paisjen e tyre me viza, është parë se asnjë prej tyre nuk dispononte në pasaportën e tij vizë për t’i dhënë të drejtën për të hyrë në territorin shqiptarë. Menjëherë pas kësaj ata janë kthyer”, thanë burimet, ndërsa konfirmohet se në orën 18.00 pritet një mbledhje urgjente e Drejtorisë së Aviacionit Civil. Kryetari i Federatës së Mundjes, Martin Biba sqaroi se, 43 sportistët ishin ftuar në kampionat dhe kjo ka qenë arsyeja pse kanë udhëtuar drejt Shqipërisë. Sportistët, sipas tij ishin të moshave nga 35 – 70 vjeç dhe për çdo kategori kishte të paktën 7 sportistë. Lajmi për praninë e sportistëve konfirmohet edhe nga MTKRS, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë sot në mesditë në redaksitë e mediave shqiptare. Ndërkohë, nuk dihet ende se si kanë mundur ata të fluturojnë pa dokumentat respektivë nga Irani drejt vendit tonë. Burimet zyrtare pohuan se pritet të vendoset edhe gjobitja e kompanisë ajrore, e cila ka sjellë në tokën shqiptare 43 sportistët iranianë të papajisur me viza. a.q/NOA