Për Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Maqedoninë, ka vetëm raporte që flasin për vendnumërim në vend të përparimit. Shqipëria ishte paralizuar nga ngërçi politik, që pasoi zgjedhjet e kontestuara të qershorit të 2009-ës. Korrupsioni i nivelit të lartë mbetet një shqetësim i madh Nga “The Economist” Nëse qeveritë do të cicëronin se çfarë mendojnë do të ishte e lehtë të përmblidhet ajo që ndjenë shtetet e Ballkanit Perëndimor këtë javë: “fiu!” nga Serbia, “huh” nga Mali i Zi dhe “piii” nga të gjithë vendet e tjera. Çdo vit Komisioni Evropian vlerëson përparimin e shteteve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është dita kur ato “e shohin vetën në pasqyrë”, thotë një diplomat në Bruksel, ndërsa “pamja është mjaft e saktë”. Raportet e sivjetmë, të publikuara më 12 tetor, u pritën me padurim në Serbi dhe Mal të Zi. Për serbët, pyetja ishte: a do të rekomandojë komisioni që Serbia të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE? Strategjia e vitit të kaluar e qeverisë së këtij shteti synonte që statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE të merret në fund të vitit 2011, për ta përdorur më pas këtë arritje në zgjedhjet e pranverës së ardhshme. Në maj, kur policia serbe arrestoi ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq - i akuzuar për gjenocid nga Tribunali i Hagës, dhe pastaj edhe Goran Haxhiqin - të arratisurin e tyre të fundit nga sistemi i drejtësisë ndërkombëtare, statusi i vendit të kandidatit dukej i sigurt. Por Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, u doli në rrugë. Marrëdhëniet fqinjësore janë një parakusht për përparimin drejt BE-së. E etur për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE edhe pa njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës nga 27 shtetet evropiane, Serbia nisi bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Kosovën. Por, bisedimet u ngrinë pas incidenteve të dhunshme në veriun e banuar me serbë të Kosovës, ku serbët lokalë vendosën barrikada rrugore. Qeveria e Serbisë ka një rrugë të vështirë para vetës. Për arsye të brendshme, ajo nuk mund t’i lë në baltë serbët në Kosovë, pavarësisht se çfarë bëjnë ata. Por, meqë është skajshmërisht e vendosur t’i bashkohet BE-së, ajo nuk mund të jetë obstruktive në bisedimet e lehtësuara nga komisioni. Komisioni mendon se Serbia ka bërë mjaft për të merituar statusin e vendit kandidat pas “përparimit të dukshëm” në bisedimet me Kosovën. Por, fjalën e fundit do ta kenë qeveritë e BE-së në dhjetor. Në dy muajt e ardhshëm, Serbisë do të duhet t’i bindë skeptikët si Gjermaninë, se Beogradi është i përkushtuar për një marrëveshje të qëndrueshme me Kosovën. Mali i Zi, i cili është kandidat për anëtarësim në BE që nga dhjetori i vitit 2010, është më gazmor. Vitin e kaluar, komisioni i caktoi qeverisë së këtij vendi shtatë fusha në të cilat duhej punuar. Këtë vit, Podgorica u shpërblye me një rekomandim që BE-ja të caktojë datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në këtë mekanizëm. Mali i Zi u përgëzua për luftën kundër krimit të organizuar. Edhe Kroacia mori një raport të mirë, por vendi është përgatitur për t’u anëtarësuar në BE qysh në vitin 2013. Dhe këtu përfundojnë lajmet e mira. Për Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Maqedoninë, ka vetëm raporte që flasin për vendnumërim në vend të përparimit. Shqipëria ishte paralizuar nga ngërçi politik, që pasoi zgjedhjet e kontestuara të qershorit të 2009-ës. Korrupsioni i nivelit të lartë mbetet një shqetësim i madh. Kosova vlerësohej se ka bërë përparim të kufizuar, edhe pse ka gjasa që qeveria e këtij vendi të nisë së shpejti dialogun për lehtësimin e regjimit të vizave me 25 shtetet anëtare të zonës Shengen. Kosovarët aktualisht janë populli i vetëm në Ballkan, i cili ka mbetur jashtë këtij procesi. Bosnja po vendnumëron tani e pesë vjet. Ky vend mbeti pa qeveri përgjatë një viti, duke e bërë të pamundur miratimin e legjislacionit jetik. Maqedonia është kandidat për anëtarësim që nga viti 2005. Edhe pse komisioni shprehu shqetësimin lidhur me çështjen e kontestuar të lirisë së mediave, ndërsa e cilësoi si provokues vendosjen e një statuje të Aleksandrit të Madh në Shkup, ai rekomandoi sërish që këtij vendi t’i caktohet data për nisjen e bisedave për anëtarësim. Mirëpo, për shkak të kontestit 20 vjeçar me Greqinë mbi emrin e Maqedonisë - përfshirë një rast të dërguar tashmë në gjykatë ndërkombëtare nga maqedonasit, grekët do ta përdorin Veton e tyre ndaj propozimit në dhjetor. Në kohën e krizës së Eurozonës, BE-ja është në stres të jashtëzakonshëm -disa mund të habiten për interesimin ende ekzistues në radhët e shteteve ballkanike për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Në fakt, asnjë shtet nuk do të ndjekë Kroacinë për shumë vite, megjithatë përgjigja është ende mjaft e thjeshtë. Pajtimi me mijëra faqe të legjislacionit të BE-së është një libër mësimi për modernizimin. Fakti që shtetet anëtare të BE-së shpesh nuk veprojnë sipas këtyre rregullave, nuk nënkupton që shtetet e Ballkanit të mos bëjnë një gjë të tillë. Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Millan Roçen, tha së fundi se, në sajë të BE-së, shteti i tij ka bërë më shumë reforma gjatë një viti se sa që do të kishte menaxhuar vetë për dhjetë vjet. Për shtetet e Ballkanit Perëndimor tranzicioni prej viteve të dezintegrimit dhe luftës duket se nuk po përfundon kurrë. Por, ndikimi i Brukselit mbetet i fuqishëm. Ekziston gjithashtu elementi garues. Anëtarësimi i Kroacisë më 2013 dhe suksesi në procesin integrues nga Mali i Zi, ka nxitur serbët të punojnë më shumë. Kjo dinamikë është kuptuar mirë. Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, tha: “Ne jemi të fundit që po fillojmë ta zëmë hapin më shpejtë”.