English

Borxhet e regjimit të Mubarakut

Për tridhjetë vjet rresht, huat e marra nga Mubaraku e pasuruan vetëm atë dhe klikën e tij sundimtare, duke e varfëruar në të njëjtën kohë pjesën tjetër të Egjiptit. Korrupsioni ishte i gjithëpranishëm dhe nuk bëhej vetëm në mënyrë të fshehtë: paratë publike përdoreshin haptazi për mbështetjen e shumë bizneseve me pretekste të pabaza të llojit “nxitja e zhvillimit ekonomik” dhe “krijimi i punësimit”.

Nga Saifedean Ammous

Që me pamjen e parë financat publike të Egjiptit zbulojnë një fakt neveritës: interesi që paguan ky shtet për huat e jashtme është më i madh sesa tërë buxheti për arsim, shëndetësi dhe strehim së bashku. Në të vërtetë, këto kosto të lidhura me borxhin përfshijnë 22 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë egjiptiane. Ndikimi i interesit tashmë është bërë i pamundur që të shpërfillet. Me një paqartësi politike në rritje dhe një ekonomi në rënie, Egjipti pritet që të përballet me ulje të të ardhurave qeveritare, rritje të kërkesës për shpenzime emergjente dhe ngritje të normave të interesit për huat e qeverisë. Një gjë e tillë mund të rezultojë me katastrofë fiskale për qeverinë, pikërisht në kohën kur shteti është duke kaluar nëpër një tranzicion të komplikuar politik. Borxhi publik i Egjiptit qëndron në rreth 80 për qind të GDP-së, shumë afër nivelit prej 90 për qind, të cilin ekonomistët Kenneth Rogoff dhe Carmen Reinhart e identifikojnë si shenjë paralajmëruese të zhvillimit të ngadalshëm, si dhe mundësisë për krizë financiare e fiskale. Egjiptianët duhet t’i kthejnë sytë nga veriu, tek kriza evropiane e borxheve, për ta kuptuar se duhet ta zgjedhin problemin tani, e jo të presin derisa ai të arrijë përmasat e Greqisë. Ky borxh është rezultat i regjimit 30-vjeçar të presidentit të rrëzuar, Hosni Mubarak. Në ligjin ndërkombëtar, borxhi që shkaktohet pa pajtimin e popullit dhe që nuk përdoret për të mirën e tyre, quhet “i keq” dhe si i tillë nuk i bartet regjimit pasues. Arsyeja është e thjeshtë dhe logjike: po qe se një mashtrues huazon para në emrin tim, atëherë prej meje nuk duhet të pritet që ta kthejë atë borxh. Ngjashëm, as popullata e një shteti nuk duhet të paguajë kur një lider që nuk vepron në emrin e tyre huazon për ta dhe për të keqen e tyre.

Për tridhjetë vjet rresht, huat e marra nga Mubaraku e pasuruan vetëm atë dhe klikën e tij sundimtare, duke e varfëruar në të njëjtën kohë pjesën tjetër të Egjiptit. Korrupsioni ishte i gjithëpranishëm dhe nuk bëhej vetëm në mënyrë të fshehtë: paratë publike përdoreshin haptazi për mbështetjen e shumë bizneseve me pretekste të pabaza të llojit “nxitja e zhvillimit ekonomik” dhe “krijimi i punësimit”. Krahas ndikimit të keq në rregullimin ekonomik, këto financime prekën konkurrencën, hapjen e tregut, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të Egjiptit. Përfituesit e tërë kësaj tani ndodhen në burg dhe po presin gjykimin. Ndërkohë pjesa tjetër e Egjiptit këto para i ka ndier vetëm në formën e një aparati të zgjeruar shtetëror që forcoi regjimin e Mubarakut, shtypi pakënaqësinë dhe ushtroi represion tek miliona njerëz. Kur egjiptianët u ngritën në këmbë kundër Mubarakut në janar, ata u konfrontuan me armët e paguara prej huave që ishin marrë në emrin e tyre.

A është e drejtë që egjiptianët të paguajnë për represionin që u ushtrua ndaj tyre nga Mubaraku dhe besnikët e tij? Pasi që nga këto para përfitoi Mubarku dhe jo populli i tij, a nuk duhet Mubaraku të mbahet përgjegjës për to? Regjimi në krye të të cilit ndodhej Mubarak ishte i qartë për shumë vjet dhe ishte po ashtu e qartë se si po përdoreshin paratë. Një huadhënës i kujdesshëm është dashur të marrë parasysh këto fakte, para se t’i aprovojë huat. Për këtë arsye bankat dhe institucionet ndërkombëtare që i dhanë hua Mubarakut duhet ta marrin përgjegjësinë për vendimin e tyre që ta financojnë regjimin e tij represiv. Egjipti i ri duhet të bëjë një shkëputje të qartë me Mubarakun dhe huadhënësit e tij, duke i lënë që ata t’i qërojnë hesapet mes vete, pa i përfshirë qytetarët egjiptianë. Roli i vetëm i Qeverisë egjiptiane duhet që të jetë ndihma dhënë likuidimit të aseteve të Mubarakut për kthim borxhi, po qe se paraqitet nevoja e tillë. Një gjë e tillë jo vetëm që do të ishte e drejtë, mirëpo do të paraqiste edhe një leksion të rëndësishëm për ata që financojnë diktatorët – një leksion që mbase do të kishte ndikim të menjëhershëm pozitiv në mbarë botën. Huadhënësit e një regjimi represiv nuk do të prisnin që borxhet t’ua kthejnë pasardhësit në pushtet, gjë që do t’i bënte huadhënësit më të kujdesshëm se kujt i japin hua.

Një precedent në Egjipt do ta vetëdijësonte një gjeneratë të tërë huadhënësish, që nuk janë mësuar me shqyrtimin e risqeve të tilla dhe që madje mund të mos jenë në njohuri me doktrinën e borxhit të pakthyeshëm. Regjimet represive do ta kishin më vështirë të huazonin, duke u vështirësuar rrjedhimisht mundësinë e tyre për ta shtypur popullin. Një gjë e tillë do ta lehtësonte në të njëjtën kohë huamarrjen nga qeveritë e përgjegjshme dhe legjitime. Bartja e përgjegjësisë për borxhin e huaj tek Mubaraku nuk duhet të ketë pasoja negative për Egjiptin në aspektin afatgjatë. Ky hap nuk duhet të konsiderohet si hap drejt pakujdesisë fiskale, mirëpo si shkëputje e qartë prej saj. Me një borxh më të vogël dhe më pak interes, pozicioni fiskal i Egjiptit do të përmirësohej në masë të dukshme, duke e mundësuar vazhdimin e rritjes ekonomike. Kujdesi i shtuar i huadhënësve të jashtëm do t’i parandalonte qeveritë e ardhshme egjiptiane që ta fusin në borxh popullin e tyre. Mbase gjëja më e rëndësishme është se ditët e huazimit për ndërtimin e një aparati të madh shtetëror do të zhdukeshin – në tërë botën. Për hir të egjiptianëve dhe njerëzve që jetojnë nën tirani kudo, Qeveria egjiptiane duhet të bëjë një hap të guximshëm.

Autori është ligjërues vizitor në Qendrën për Kapitalizëm dhe Shoqëri në Universitetin e Columbias, si dhe ligjërues për ekonomi në Universitetin libanezo-amerikan.

NOA

KOMENTE