Fier, 14 tetor 2011, NOA- Policia e Fierit ka bërë të mundur gjetjen dhe prangosjen e 19 vjeçarit Gazment Braçe banues në Levan pasi pasditen e djeshme plagosi tre persona. Braçe në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, ka plagosur me armë zjarri pistoletë për motive të dobëta, Bledar Gj. 23 vjeç, Albert R. 21 vjeç si dhe më pas kanë plagosur lehtë me thikë shtetasin Albano S. 26 vjeç. Sipas policisë, tre të dëmtuarit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq nga ana e policisë në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja dhe 3 fishekë model 54. Sakaq nga blutë e Fierit po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarje. Ndaj 19 vjeçarit Gazment Braçe nisën hetimet për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. a.y/NOA