Tiranë, 14 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj - Gjykata e Lartë ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj Ilir Kumbaros, ish-agjentit të SHISH i kërkuar nga drejtësia shqiptare për rrëmbim dhe torturë. Kolegjet e Bashkuara në Gjykatën e Lartë në këtë mënyrë i kanë hapur rrugë ekstradimit nga Londra të Ilir Kumbaros. 13 gjygjtarët u tërhoqën pas mesditës për vendim nëse masa e sigurisë ndaj Ilir Kumbaros është e ligjshme ose jo. Kërkesa u bë nga Prokurori i çështjes, i cili kërkoi masë sigurie për Kumbaron gjatë gjykimit, ndërkohë që Gjykata e Apelit kishte vendosur masën me burg për ish shikasin. Avokati mbrojtës e cilësoi kërkesën e Prokurorëve të paligjshme, pasi sipas tij, këto kërkesa nuk mund të paraqiten gjatë gjykimit dhe nuk mund te gjykohen nga i njëjti trup që gjykon dhe çështjen e themelit. Kumbaro është një nga katër personat e akuzuar për çështjen e rrëmbimit me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë. Prej 15 vitesh ai jeton në Britaninë e Madhe në një banesë sociale në sajë të ndihmës sociale që shteti i ka akorduar pasi kishte deklaruar se ishte i paaftë për punë. a.q/NOA