English

Haxhinasto: Austria mesazhe pozitive BE për integrimin

Vjenë, 14 tetor 2011, NOA- Gjatë qëndrimit të tij në Austri Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto zhvilloi një konferencë të përbashkët me homologun e tij Michael Spindelegger. Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë Haxhinasto shprehu vlerësim për mikpritjen dhe kontributin e Spindelegger për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Austrisë dhe Shqipërisë si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe në procesin e integrimit evropian. “E sigurova për vendosmërinë e Qeverisë së Shqipërisë që të vazhdojë axhendën e reformave në mënyrë që të përfundojë hapat cilësore që nuk kemi pasur deri më tani për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat. Gjithashtu biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me Austrinë në fushën ekonomike. Austria është investitori dhe partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, çka është shumë domethënëse për ne. Ne kemi potencial për ta forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe jemi të kënaqur të vërejmë një interes në rritje të shoqërive austriake për ekonominë dhe tregun shqiptar”, u shpreh Haxhinasto. Ai theksoi se është diskutuar për bashkëpunimin në OKB dhe OSBE dhe në gjithë ato Organizata Ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare. Nga ana e tij Spindelegger tha se mes dy vendeve ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer, ku Austria dhe Shqipëria ulen përkrah njëra-tjetrës në organizatat ndërkombëtare pikërisht se kanë shumë gjera të përbashkëta që thellojnë bashkëpunimin e ngushtë. “Austria e mbështet Shqipërinë dhe mendon se duhet të bëhet një anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne ju mbështesim gjithmonë, tani kemi marrë progres-raportin e ri të Komisionit, e kemi diskutuar në këshillin e Bashkimit Evropian dhe do bëjmë gjithçka për të dërguar mesazhe pozitive nga pala evropiane në mënyrë që edhe ju të ndjeni që jeni të mirëpritur në Bashkimin Evropian. Sigurisht që ka shumë punë për të bërë dhe ju duhet të punoni në Kuvend menjëherë për të arritur shumë qëllime dhe për të bërë shumë reforma”, u shpreh Zëvendëskancelari dhe Ministri e Jashtëm Federal i Autrisë, Michael Spindelegger. a.y/NOA

Në foto: Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto gjatë takimit me Zëvendëskancelarin dhe Ministrin e Jashtëm Federal të Austrisë, Michael Spindelegger

KOMENTE