Vjenë, 14 tetor 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto adresoi mbledhjen plenare të Këshillit të Përhershëm të OSBE. Në fjalën e tij, Ministri Haxhinasto vlerësoi rolin e rëndësishëm të OSBE-së dhe vizionin e saj për një komunitet të sigurt, duke u angazhuar maksimalisht për promovimin e vlerave njerëzore, të paqes dhe sigurisë në të gjithë hapësirën që ajo mbulon. Në vijim Haxhinasto bëri një pasqyrim të plotë të progresit dhe reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, si dhe arritjeve të saj në axhendën e politikës së jashtme. Anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave me BE-në dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, përbëjnë disa nga këto arritje të rëndësishme, theksoi Haxhinasto. Lidhur me zgjedhjet e 8 Majit, Ministri Haxhinasto falënderoi ODIHR-in për Misionin e Vëzhguesve dhe kontributin e shteteve të tjera për monitorimin e tyre. Ai theksoi se Qeveria e Shqipërisë synon të kryejë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që do të përmbushë rekomandimet e ODIHR të 2009 dhe 2011, përfshirë këtu edhe ekspertizën e Komisionit të Venecias. Sipas tij, kjo reformë, përbën edhe një nga prioritetet kyçe në bllokun e detyrimeve për t’u afruar më tej në BE. Ndër të tjera Haxhinasto rikonfirmoi rolin dhe kontributin aktiv të Shqipërisë si në planin rajonal ashtu dhe në organizatat ndërkombëtare ku ajo është anëtare. Ministri shqiptar vlerësoi kontributin që OSBE-ja po jep me mekanizmat dhe ekspertizën e saj unike për të asistuar vendet e “Pranverës arabe”. Ai inkurajoi kryesinë e OSBE, dhe vendet anëtare që të rrisin bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për realizimin me sukses të reformave të ndërmarra nga këto vende partnere. Sakaq Haxhinasto vlerësoi progresin e dukshëm në rajon për sa i përket stabilitetit, zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe edhe në kuadër të nismave rajonale, për të cilat një vlerë të padiskutueshme ka dhënë dhe pavarësia e Kosovës. Ndërkaq Haxhinasto takoi edhe Kryetarin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, ambasadorin e Lituanisë Renatas Norkus. Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në Raport Progresin, ku ministri shqiptar shprehu angazhimin e qeverisë për të plotësuar prioritetet e përcaktuara në të dhe veçanërisht reformën zgjedhore. Në këtë linjë u konkludua rëndësia e mbështetjes teknike nga ana e ODHIR dhe Komisioni i Venecias për këtë proces. Më tej u diskutua edhe për objektivin e Shqipërisë për të rritur angazhimin në OSBE, duke marrë Kryesinë e Organizatës në një të ardhme të afërt dhe duke organizuar në Tiranë në vitin 2013, Konferencën e Nivelit të Lartë për Tolerancën dhe Mosdiskriminimin. a.y/NOA