English

Idrizi: Reforma Zgjedhore gati deri në dhjetor

Tiranë, 14 tetor 2011, NOA - Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i bëri thirrje sot forcave politike kryesore që deri në dhjetor të miratojnë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të plotësojnë institucionet e larta të gjyqësorit me anëtarë, si dhe të nisin seriozisht të mendojnë për t'u përballur me rekomandimet e tjera të progresraportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. “Progres raporti nuk është, si i tillë, një dokument i politikës sonë të jashtme, por përkundrazi një vlerësim i politikës sonë të brendshme. Për këtë shkak ne mendojmë se më shumë sesa vlerësimi i dobët i një mësuesi për nxënësin e vetë progresraporti është një diagnozë mjekësore e sëmundjeve tona të brendshme politike”, tha Idrizi gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, klasa politike e çdo vendi serioz e arrin një detantë për ligjet kryesore, për zhvillimin e institucioneve, etj, në emër të integrimit, pasi negociatat janë thelbi i politikës dhe jo konfliktualiteti i ashpër. "Integrimi evropian i vendit është gjithashtu një objektiv strategjik, është një interes kombëtar dhe ngadalësimi apo prapësimi i ritmeve të tij është një cënim i këtij interesi", nënvizoi Idrizi. a.q/NOA

KOMENTE