English

Integrimi, Oswald: Palët të ulen për vendimet që pret BE

Berlin, 14 tetor 2011, NOA- Nënkryetari i parlamentit gjerman Eduard Oswald komenton raportin e progresit për Shqipërinë, duke thënë se duhet të nxirren përgjegjësi e angazhime konkrete. Në një intervistë për Deutsche Welle-n ai shprehet se politikanët shqiptarë nëse dëshirojnë që vendi i tyre të ecë në rrugën e integrimit evropian, do të duhet të ulen së bashku për të marrë ato vendime që kërkon interesi i përbashkët i vendit, por dhe atë që pret vetë BE nga Shqipëria.

Zoti Oswald si është niveli i bashkëpunimit mes parlamenteve të të dy vendeve?

Jemi në një rrugë mjaft të mirë të marrëdhënieve tona, të cilat do t'i përshkruaja shumë miqësore. Së fundi kemi patur vizita të deputetëve shqiptarë në Bundestag, po kështu dhe deputetët tanë kanë qenë këtu. Mund të përmend dhe grupin e miqësisë mes deputetëve nga të dy vendet, por dua të mos lë pa prekur dhe shkëmbimet që kemi në nivelin e administratës, ku përfaqësues të palës shqiptare vijnë në Gjermani dhe njohin nga afër mënyrën e punës dhe të funksionimit të Bundestag-ut. Gjatë kësaj vizite në Tiranë unë kam patur rastin që dy herë të takohem me kryetaren e parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli në shoqërinë dhe të deputetëve të tjerë shqiptarë, ku kemi patur diskutime shumë të frytshme për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe.

Duke ju referuar aktualitetit të zhvillimeve në Shqipëri përmendim publikimin këtë të mërkurë të Progres Raportit nga ana e Komisionit Evropian, ku theksohej në esencë progresi i limituar dhe mungesa e realizmit të reformave thelbësore. Cili është mendimi juaj për vlerësimet e Komisionit Evropian?

Ky Progres Raport përpilohet nga nëpunës të pavarur të aparatit administrativ të BE-së dhe jo nga politikanë. Këta nëpunës mbledhin të gjitha të dhënat, faktet, shifrat dhe gjithëçka që është evidente për periudhën njëvjeçare, duke bërë vlerësimin e tyre në mënyrë të imët në komisione të ndryshme. Unë jam thellësisht i bindur se politika shqiptare, politikanët e këtij vendi do të dinë ta vlerësojnë në mënyrë objektive lëndën e këtij Progres Raporti, për të nxjerrë më pas konkluzionet konkrete, përgjegjësitë dhe angazhimin e tyre në vijim.

Jo vetëm në këtë Progres Raport të fundit, por dhe në disa qëndrime të përsëritura të mëparshme të faktorit ndërkombëtar është folur për mungesën e funksionimit normal të parlamentit në Tiranë, për mungesën e komunikimit konstruktiv mes mazhorancës dhe opozitës. Personalisht ju z. Oswald si parlamentar çfarë do ti adresonit kolegëve shqiptarë për ta kapërcyer këtë situatë?

Për të gjykuar ose për të dhënë një opinion mbi Shqipërinë duhet patur mendoj parasysh rruga që ka përshkuar vendi në dy dekadat e fundit. Shqipëria është një demokraci e re. Në parlament diskutohet vërtet me shumë pasion rreth zhvillimeve politike. Por unë jam thellësisht i bindur se partitë politike, politikanët shqiptarë nëse dëshirojnë që vendi i tyre të ecë në rrugën e integrimit evropian, do të duhet të ulen së bashku për të marrë ato vendime që kërkon interesi i përbashkët i vendit, por dhe atë që pret vetë BE nga Shqipëria.

Zoti Oswald ju jeni në Tiranë për të ndjekur nga afër procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga Shqipëria në kuadër të programit të "Bursave Parlamentare Ndërkombëtare 2012". Cili është qëllimi dhe objektivat kryesore të këtij programi që aplikohet dhe në vende të tjera të botës?

Ky program fton të rinj nga Shqipëria, por dhe nga vendet e tjera në Bundestag-un gjerman, për t'i njohur dhe familjarizuar ata me kulturën parlamentare, me demokracinë dhe shtetin ligjor. Shikoni, për të krijuar një ide më të mirë po ju them se në 25 vitet e fundit kanë qenë afër 2500 të rinj nga e gjithë bota që kanë ardhur në Bundestag. Brenda një periudhe pesë mujore, pjesëmarrësit në këtë program janë si të thuash në kontakt direkt dhe me deputetët gjermanë. Shikojnë dhe ndjekin nga afër axhendën e tyre konkrete, propozimet, përgatitjet, mbulimin e çështjeve në zonat e tyre me të cilat ata janë angazhuar etj. Pra, të rinjtë duke shoqëruar deputetët në terren kanë mundësi të qëndrojnë jo vetëm në Berlin, por dhe në rajone të ndryshme të Gjermanisë. Duke u kthyer tek rasti shqiptar, këto dy ditë ne patëm rastin që të shqyrtojmë 12 aplikime të të rinjve. Biseduam në mënyrë intensive me ta dhe 3 prej aplikantëve kanë fituar bursën parlamentare. Të mos e fsheh që jam habitur pozitivisht nga kontakti me të rinjtë shqiptarë, nga përgatitjet serioze që ata kishin bërë dhe nga niveli i njohurive. Duke ditur shumë mirë jo vetëm gjuhën gjermane, por dhe duke patur njohuri të thelluara për Gjermaninë dhe BE-në. DW/NOA

Në foto: Nënkryetari i parlamentit gjerman Eduard Oswald

KOMENTE