Tiranë, 14 tetor 2011, NOA- Ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera u shpreh se çështja rome është kthyer në axhendë të ministrisë. Këto fjalë ministri Ksera i tha gjatë takimit që pati me një përfaqësi të komunitetit rom. “Komiteti Rom dhe zgjidhja e problematikës së tij është në krye të angazhimeve të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e cila ka intensifikuar bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë”, u shpreh ministri Ksera gjatë takimit me përfaqësinë e komunitetit rom të dëbuar para disa muajsh nga vendqëndrimi i tyre pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Ministri Ksera u interesua për problematikat e tjera që shqetësojnë këto familje dhe garantoi se të gjitha strukturat janë udhëzuar të zgjidhin në kohë dhe në mënyrë afatgjatë çdo problem. Ndër të tjera Ksera bëri me dije se Ministria po ngre ura bashkëpunimi edhe me pushtetin vendor në mënyrë që ky komunitet të sigurojë një akses më të mirë në të gjitha shërbimet e ofruara. Mësohet se 45 familjet rome u strehuan dhe vazhdojnë të trajtohen në një kamp emergjence të ngritur në periferi të Tiranës, nga Ministria e Punës, në bashkëpunim me donatorët. Gjatë kësaj periudhe, komuniteti i strehuar në kamp është mbështetur me ndihma në veshmbathje dhe ushqime, të siguruara si nga bashkëpunimi me donatorë edhe nga rezervat e shtetit. Shqetësimit të përfaqësisë rome për zgjidhjen e strehimit të përhershëm të 45 familjeve rome, Ministri iu përgjigj se Ministria që ai drejton, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Entin Kombëtar të Banesave, tashmë kanë përcaktuar zonën ku do të ndërhyhet dhe po punojnë për përfundimin sa më parë të procedurave të nevojshme ligjore. a.y/NOA