Tiranë, 14 tetor 2011, NOA – Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, gjatë një interviste për Top Channel shprehet i shqetësuar për qëndrimin e partive politike, të cilat janë ende larg një dialogu. “Partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre, deklaroi Ëollfarth, dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore”.
Z. Ambasador, ju keni qenë shumë aktiv në sugjerimin e disa propozimeve për reformën e ardhshme të Kodit Zgjedhor. A mund të na thoni diçka më tepër se çfarë propozoni më saktësisht dhe çfarë duhet bërë?
Partitë politike duhet të përgatiten dhe të fillojnë dialogun për reformën e kodit zgjedhor, e cila duhet të nisë pa humbur kohë. Të gjithë e dëgjuam progres-raportin e Komisionit Evropian. Shpresojmë të ketë një efekt kthjellues, por ajo që vëmë re në këtë fazë është se partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore. Kjo nuk është e mirë. Ato nuk duhet të sillen sikur të ishin në vitet 1914-1915, por të përgatiten për të ardhmen dhe të fillojnë reformat, midis të cilave është edhe reforma zgjedhore. Rregullorja e Kuvendit do të ishte një fillim shumë i mirë dhe ka pasur propozime lidhur me këtë. Propozimet kanë ardhur edhe nga Partia Socialiste në formën e një katalogu, i cili është i hapur dhe duhet të kontribuojë si bazë për atë dialog që nevojitet vërtet për ta përgatitur Shqipërinë për të ardhmen, për zhvillimin e kësaj shoqërie, për stabilizimin e institucioneve demokratike, të cilat zakonisht varen nga zgjedhjet e mira. Duhet të shohim zgjedhje akoma më të mira në të ardhmen. Ne kemi nevojë t’i shohim ato, populli shqiptar meriton t’i shohë.
Cili është më saktësisht sugjerimi juaj. Çfarë duhet bërë në këtë çast, ambasador?
Dialog. Jo hedhje faji, por dialog. Palët duhet të fillojnë dialogun. Nuk ka rëndësi se në çfarë formati. Nuk ka rëndësi nëse bëhet në mënyrë private apo publike. Zakonisht, përgatitjet e mira fillojnë privatisht. Gjithashtu, duhet të ndërtohet besimi. Besimi duhet të zëvendësojë mosbesimin dhe ky besim është i nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Unë kam besim për këtë dhe Prezenca e OSBE-së mbetet gjithashtu e gatshme të japë mbështetjen e saj. Unë kam besim se Shqipëria mund të përgatitet për të ardhmen, por hapat duhet të ndërmerren që tani, ora po ecën dhe kjo vlen edhe për reformën e Kodit Zgjedhor.
Z. Ambasador, e keni përmendur shumë herë fjalën dialog. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe kolegët tuaj, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Ambasadori Sequi dhe të tjerët. Por dje pamë kryeministrin e Shqipërisë të shante, të bërtiste dhe të kërcënonte një deputet socialist në parlament. A mendoni se është kjo rruga që duhet ndjekur?
Rruga e rëndësishme që duhet ndjekur është që palët të bëjnë dialog për çështje konkrete, në vend të debateve të zjarrta. Natyrisht, edhe këto debate janë pjesë e jetës parlamentare, por tani palët duhet t’i futen konkretisht punës, të kenë mendime të qarta, të peshuara mirë, të paraqesin drafte të mirëfillta dhe pastaj të kalojnë te vendimmarrja. Kuvendi ka rifilluar punën prej pak më shumë se katër javësh, por deri tani nuk ka pasur ndonjë arritje të rëndësishme. Duket sikur kjo kohë nuk është përdorur si duhet. Kjo kohë duhet përdorur për t’u përgatitur për dialog, për ndërtimin e besimit, për punën mbi projektligjet, përfshirë dhe duke filluar nga reforma e kodit zgjedhor, që ne do të donim ta shihnim së shpejti.
Nëse dialogu që kërkoni nuk do të ndodhë në ditët apo javët e ardhshme, cilat do të jenë hapat që komuniteti ndërkombëtar do të ndërmarrë për të realizuar këtë dialog?
Ajo që duhet të kemi gjithnjë parasysh është se shpejtësia e zhvillimit është në dorën e shqiptarëve. Ne mund të japim këshilla, jemi të gatshëm të japim këshilla, kemi edhe durimin për të dhënë këshilla. Mbetet të shihet sa i duruar është populli shqiptar me atë që po ndodh në skenën politike. Ne do të donim të shihnim hapa më të shpejtë. Njerëzit e meritojnë, vendi e meriton dhe kjo do t’i shërbejë edhe përparimit dhe sigurisë në rajon. a.q/NOA