English

Policia shpjegon aksidentin e 4 familjarëve të vdekur në Gjipalaj

Durrës, 14 tetor 2011, NOA-(Update) Tragjedia e familjes Keçi në Gjipalaj të Durrësit, liston katër viktima. Këtë herë për aksidentin e orëve të para të mëngjesit Policia e Durrësit ka shpjeguar aksidentin. Burime zyrtare nga policia i thanë NOA se 4 pjesëtarët e familjes Keçi kanë gjetur vdekjen si rrjedhojë e mbytjes në kanalin me ujë ku kishte përfunduar makina e dalë nga rruga. Nga kjo ngjarje gjetën vdekjen Baki Keçi, 42 vjeç, Mimoza Keçi, 39 vjeç, Ronaldo Keçi, 14 vjeç dhe i fundit dhe më i vogëli, trupi i pajetë i të cilit u kërkua për disa orë në ujërat e kanalit Arbër Keçi 10 vjeç. Mësohet se katër anëtarët e familjes fatkeqe udhëtonin me automjetin tip Benz 240 me targa DR 8071 C, ndërsa nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka qenë aksidentale dhe se ka ndodhur për shkak të zhvendosjes së automjetit nga rryma e ujërave të shkaktuara nga reshjet e shiut të rëna gjatë orëve të natës. Sakaq sqarohet gjithashtu se ngjarja ka ndodhur pak para mesnate kur familjarët e familjes Keçi ktheheshin nga një darkë tek të afërmit e tyre në Shijak. Gjithsesi nga ana e policisë vazhdon kryerja e ekzaminimeve dhe ekspertimeve të mëtejshme për të përcaktuar saktësisht rrethanat e ngjarjes. a.y/NOA

KOMENTE