Berat, 15 tetor 2011, NOA- Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi u ndal sërish në procesin e censusit që po mbahet në Shqipëri. Kjo pas takimit të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shoqata ''Çamëria'' dhe Klubi i Patriotëve të Rinj vijuan turin ''Ji krenar që je shqiptar'' në qytetin e Beratit. Edhe në këtë takim Idrizi u shpreh se PDIU ka qenë forca e parë që është deklaruar kundër futjes së pyetjeve mbi etninë dhe fenë në regjistrim dhe mbetet forca e vetme politike me këtë qëllim. “Ne vendosëm që të luftojmë brenda institucioneve, pasi vetëm aty ne mund që të arrinim një fitore. Në të kundërt, pavarësisht zhurmës e faktorizimit tonë, censusi do të kryhej ashtu siç ishte deklaruar fillimisht me vetëpërcaktim. Amendamentet tona, të këshilluara me ekspertët më të mirë të vendit, ishin zgjidhja e vetme, në kushtet kur ne s’kishim mundësi që ta bllokonim tërësisht vendosjen e pyetjeve për përkatësinë etnike dhe fetare. Sot ne mund ta themi me plot gojën : amendamentet e partisë sonë në parlament frenuan orekset shoviniste për të rihapur çështje minoritetesh. Sot kur censusi, pjesa në terren ka konsumuar gjysmën e vet, nuk thërrasim fitore për atë që ndodhi, nisur nga fakti se disa organizata të minoritetit bëjnë thirrje për bojkotim të procesit. Ne besojmë se ky bojkotim nuk ja heq legjitimitetin procesit në përgjithësi”. Idrizi tha se procesit të censusit iu zvogëluan mundësitë që të pretendoheshin të drejta kolektive për minoritete të rreme, në kapërcim të kuadrit juridik ndërkombëtar. Ai theksoi se vetëdeklarimi, i aq shumëpërfolur, nuk është vetëpërcaktim, pasi vetëdeklarim do të thotë të deklarosh vetë dhe i lirë atë që je, pra atë që ti e fakton se je. Kreu i PDIU tha se, për kombësinë ekziston fakti që është i shënuar në regjistrin e gjendjes civile. Idrizi theksoi se kur puna në terren të përfundojë, PDIU do të jetë garante që INSTAT të zbatojë me përpikmëri ligjin dhe që të verifikojë një më një të gjitha vetëdeklarimet në mënyrë që ato të jenë të sakta. Lidhur me çështjen çame ai u shpreh se PDIU do mbetet gardian i interesit kombëtar, ruajtësit institucionalë dhe qenies sonë kombëtare. a.y/NOA