Paris, 15 tetor 2011, NOA - Ministrat e financave nga 20 ekonomitë më të fuqishme të botës po takohen në Paris në përpjekje për të zgjidhur krizën evropiane të borxheve që po kërcënon ekonomitë botërore në një tjetër recesion. Ministrat pritet të shqyrtojnë mundësitë që disa udhëheqës thonë se mund të stabilizojnë tregjet financiare globale dhe të lehtësojnë borxhin e Greqisë. Nuk pritet të arrihet ndonjë zgjidhje gjatë këtij takimi që i paraprin takimit të nivelit të lartë në nëntor. Dje presidenti Obama bisedoi me kancelaren gjermane Angela Merkel për zhvillimet e fundit në krizën e eurozonës. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti dhe kancelarja Merkel diskutuan gjithashtu rreth përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të G-20 muajin e ardhshëm në Francë. Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar udhëheqësit e Bashkimit Evropian se nuk kanë vepruar me shpejtësinë e duhur për të mënjanuar krizën. Zonja Merkel e kundërshtoi këtë akuzë dje duke thënë se ata që janë jashtë eurozonës nuk kanë të drejtë t’i bëjnë thirrje bllokut për veprim. a.q/NOA