- Redaksionale NOA - Kjo fundjavë ndoshta duhet të ishte e qetë, të paktën ashtu nisi, aq sa gazetarët po ankoheshin se pak lajme kishin, ndaj iu "sulën" atyre nga bota, duke përkthyer sa në anglisht e sa në italisht. Por ndërsa "sulmi" i përkthimeve po vazhdonte deri nga pasdreka, aty befas nisi një "sulm" tjetër, por ky ama i vërtetë, duke trazuar fundjavën e qetë politike shqiptare. Nisi me Topin i cili e quajti Topallin një spikere që s'flet shqip, duke marrë përnjëherë dhe përgjigjen e saj më të ashpër: Je Haxhi Qamil. Për të vijuar me kreun socialist, që sot mesa duket ia la Topit në dorë që ta quajë spikere Topallin, por duke mos iu ndarë akuzave plot me bollëk për mazhorancën aktuale. Topi "hap krahun" në Shkodrën e Topallit Këtë të shtunë ditëlindjeje të kryeministrit Berisha, kryetari i shtetit e hapi krahun sa mundi, me deklarata thumbuese dhe replika të shumta, ndaj krerëve të mazhorancës, duke kaluar në një ofensivë e cila vjen në vijim të sulmeve që po i bëhen nga kryeministri, kryetarja e Kuvendit e së fundmi edhe nga zyrtarë të rangjeve më të ultë si zv/ministër i Mjedisit, Taulant Bino, dy ditët e fundit. Bino edhe sot sulmoi Topin por ndryshe nga dje, edhe politikisht, kur tha se kthimi nga Topi i ligjit për mbetjet urbane ka arsye të pastër politike. Madje z.Bino tha se këto qëndrime Topi i mban në kuadrin e partisë së re që ka ose do të ketë. "Refuzimi në mungesë të argumenteve kushtetuese është padyshim një akt i pastër politik në mbështetje të partisë që ka krijuar ose që do të krijojë. Refuzimi është pengesë e Qeverisë në funksionin e saj ligjor për menaxhimin e mbetjeve, sipas standardeve të BE-së. Refuzimi lë në fuqi me ose pa dashje sistemin aktual te menaxhimit që për ne të gjithë është i mangët", tha sot Bino. Lidhur me këtë të fundit, presidenti sot nga Shkodra, bëri këtë koment: "Koha ka provuar se vendimet e Presidentit kanë qenë gjithnjë korrekte dhe Gjykata Kushtetuese është prova e qartë edhe me ligjin e Pronave. Unë kam kontestuar kontradiktën mes neneve dhe habitem që ekspertë të Mjedisit nuk shqetësohen për ambientin por bëjnë komente politike", - deklaroi z.Topi.
Presidenti i Republikës, i bëri deklaratat në përfundim të veprimtarisë për dekorimin e personaliteteve të shquara të artit dhe të sportit shkodran, ku sipas zyrës së tij për shtyp iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me çështje të aktualitetit politik. Më herët ai ndoqi ndeshjen Vllaznia-Tirana 2-2 por u largua nga stadiumi 10 minuta para mbarimit të pjesës së dytë.
Reagimi i Ramës: Presidenti bëri mirë që ktheu ligjin
Por më herët para përplasjes Topi-Topalli, Kryesocialisti Edi Rama i doli në mbrojtje Kreut të Shtetit duke thënë se bëri shumë mirë që e ktheu ligjin pasi ai është një ligj antikombëtar dhe antieuropian.
Rama tha se, "Presidenti i Republikës ktheu ligjin për importin e plehrave. Dhe bëri shumë mirë. Ai ligj s'është një ligj për Shqipërinë Europiane. As për një Shqipëri më të pastër. Po është një ligj për të gangrenizuar me pasoja të pallogaritshme sot plagët e rënda të ndotjes së Shqipërisë. Dihet botërisht lidhja e mafias me plehrat. Njihen botërisht ngjarje tragjike për shumë vende të botës ku kjo lidhje ka arritur të bëjë ligjin. Por më shumë akoma, dihet botërisht se Shqipëria nuk pastron dhe nuk përpunon dot sot plehrat e veta. Të cilat në të shumtën e zonave urbane digjen ende si në mesjetë buzë lumenjsh apo mbi toka buke. Me efekte shkatërruese për shëndetin e njeriut e të natyrës. Si është e mundur që një vend si i yni, ku pas njëzet vjetësh liri, s'është vënë dot rend ligjor në shumicën dërrmuese të territorit për mbledhjen, grumbullimin, përpunimin e plehrave, të importojë plehra nga jashtë? Cila qeveri në botë i'a bën në këto kushte vendit të vet një peshqesh si ky, nëse nuk është e kushtëzuar nga lidhjet me nënbotën ku qarkullojnë në të zezë paratë e plehrave? Për çfarë arsyeje në botë Shqipëria duhet të marrë mbi kurriz edhe plehrat e botës kur ende s'po e ngre dot kurrizin e mbuluar nga plehrat e veta?".
Luftë me Topallin me shënjestër dhe Berishën Lidhur me akuzën që kryetarja e Kuvendit dje i bëri se e sheh në lidhje me Edi Ramën, Presidenti e futi veten në një debat që u acarua shumë, duke përfshirë edhe kryeministrin Berisha, gjithashtu folvs i rregullt i dialektit verior tropojan, kur u shpreh: " “Së pari, këto zonja, apo zotërinj duhet të mësojnë pikërisht artin e komunikimit qytetar, të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, sepse komunikojnë publikisht me Institucionin e Presidentit të Republikës. Së dyti, në rast se do të dalim në një plan tjetër, ju e dini që, për definicion, spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do u thoja të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytear dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte.”
Deklarata e djeshme e zonjës Topalli: “Në lidhje me qëndrimin "institucional" dhe që nuk i bën nder Presidentit të Republikës, Kryetarja e Kuvendit sqaron se: Jozefina Topalli flet me krenari dhe me vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi.
Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!”.
Presidenti, i ktheu reston me një tjetër deklaratë: “Po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë”.
Nga Topalli nuk pati më vazhdim të replikave këtë mbrëmje të shtunë.
Deklarata e djeshme e Topallit që nxiti sot Topin Pyetje: Zonja Topalli, kreu i Shtetit dje deklaroi që krerët e ekzekutivit dhe të legjislativit të cilët përmendet në raport duhet të jenë më të kujdesshëm dhe ta bëjnë më mirë punën e tyre, keni ndonjë koment mbi këtë? Topalli: Natyrisht kam lexuar raportin dhe në mënyrë shumë të veçantë për çështjet e drejtësisë dhe gjyqësorin dhe për korrupsionin e madh që ka aty brenda. Përsa i takon arsyes, për të cilën nuk është marrë statusi i vendit kandidat, bojkoti dhe bllokim. i unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve. Pyetje: Zonja Topalli, a ka të bëjë kjo dhe me celulën antievropiane për të cilën ju keni folur? Topalli: Sigurisht që po. Topi si Rama, e quan Topallin spikere Atë që bëri Topi sot, në fakt rëndom e bën Rama. Thuajse në çdo fjalim apo deklaratë për shtyp që mban, kreu socialist nuk lë pa e përmendur këtë epitet, si fjala vjen në fjalimin e javës së shkuar me titull "Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa": "I siguroj Saliun e spikeren se kthimi me votë të përbashkët... Raporti i Progresit ka konstatuar defekte ... tek zonja spikere, e cila edhe sipas Brukselit zyrtar e keqdrejton Kuvendin e Shqipërisë. ...Duhet ta harrojnë edhe Saliu edhe spikerja e tij në majë të podiumit më të lartë që mund të fajësojnë opozitën për bllokim kur mbajnë peng parlamentin në gjendjen e prapranueshme që përshkruhet më së miri në Raportin e Komisionit Europian. ...Nuk habitem që paturpësisht thuhet nga Saliu e nga spikerja që s'ka marrë përgjigje letra e kryetarit të Grupit të tyre Parlamentar për këtë reformë". Fund