Prishtinë, 15 tetor 2011, NOA – Nexhat Daci, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), e cila vjet nuk e kaloi pragun elektoral në zgjedhjet e përgjithshme, ka paralajmëruar se do të hedhë kandidaturën e tij për President të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Daci deklaroi se fillimisht po pret të kryhen ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit të shtetit, nga Kuvendi i Kosovës apo nga populli si dhe vlerësimet e miqve. “Ekziston një bindje ose një perceptim se ndoshta duhet t’i hyj garës për president të Republikës së Kosovës. Por, është shumë herët të deklarohem, sepse nuk dua t’ia prish askujt disponimin”, ka thënë Daci në një intervistë për “Epoka e Re”. I pyetur nëse merr një vlerësim pozitiv prej miqve për kandidimin për president, Daci është përgjigjur: “Po nëse e vlerësoj, jo vetëm unë, por të gjithë miqtë që kam, ndoshta edhe më tepër jashtë partisë, do të jem i gatshëm. Kurrë nuk kam qenë më i fuqishëm në aspektin shëndetësor, intelektual, moral dhe politik”. Nexhat Daci foli edhe për situatën politike në vend dhe për LDD-në. Ai përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, përkatësisht në Jarinje e Bërnjakë. Sipas Dacit plani i Qeverisë në veri të Kosovës nuk është finalizuar deri në fund. Daci i bëri thirrje për unitet të gjithë spektrit politik të pozitës dhe opozitës, pasi sipas tij këto nuk i vlejnë interesit kombëtar të shtetit të Kosovës. Lideri i LDD-së Nexhat Daci nuk e ka mohuar bashkimin me LDK-në dhe Listën “Ibrahim Rugova”. mit/NOA