English

Rama: Presidenti bëri mirë që ktheu ligjin, ishte antieuropian

Tiranë, 15 tetor 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar sot lidhur me akuzat e përfolura së fundmi ndaj Presidentit Topi për mos dekretimin për ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Nëpërmjet një editoriali në blogun e tij, Rama thekson se Presidenti Topi bëri shumë mirë që e ktheu ligjin pasi ai është një ligj antikombëtar dhe antieuropian.

Reagimi i Kreut të PS Edi Rama për ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”:

Presidenti i Republikës ktheu ligjin për importin e plehrave. Dhe bëri shumë mirë. Ai ligj s’është një ligj për Shqipërinë Europiane. As për një Shqipëri më të pastër. Po është një ligj për të gangrenizuar me pasoja të pallogaritshme sot plagët e rënda të ndotjes së Shqipërisë. Dihet botërisht lidhja e mafias me plehrat. Njihen botërisht ngjarje tragjike për shumë vende të botës ku kjo lidhje ka arritur të bëjë ligjin. Por më shumë akoma, dihet botërisht se Shqipëria nuk pastron dhe nuk përpunon dot sot plehrat e veta. Të cilat në të shumtën e zonave urbane digjen ende si në mesjetë buzë lumenjsh apo mbi toka buke. Me efekte shkatërruese për shëndetin e njeriut e të natyrës. Si është e mundur që një vend si i yni, ku pas njëzet vjetësh liri, s’është vënë dot rend ligjor në shumicën dërrmuese të territorit për mbledhjen, grumbullimin, përpunimin e plehrave, të importojë plehra nga jashtë? Cila qeveri në botë i’a bën në këto kushte vendit të vet një peshqesh si ky, nëse nuk është e kushtëzuar nga lidhjet me nënbotën ku qarkullojnë në të zezë paratë e plehrave? Për çfarë arsyeje në botë Shqipëria duhet të marrë mbi kurriz edhe plehrat e botës kur ende s’po e ngre dot kurrizin e mbuluar nga plehrat e veta?

Saliu e zëdhënësit e plehrave të jashtme në qeveri thonë se do vijnë vetëm plehra “të pastra” dhe këta zotërinjtë do t’i groposin në barkun e atdheut tone në këmbim të përfitimit ekonomik. Po kush nuk e di që ky shtet s’ka asnjë shans, asnjë mundësi, asnjë instrument, as për t’i kontrolluar plehrat që hyjnë në Shqipëri, as për t’i përpunuar ato sipas standardeve të Bashkimit Europian, as për të bërë me to gjësend tjetër përveç dëmit katastrofik që paralajmëron ky ligj plehrash? Të gjithë e dinë.

E më tej të gjithë duhet ta mësojnë se të njëjtin ligj, me të njëjtat argumenta, kanë miratuar në pseudoparlamentet e tyre qeveritë e vendeve të pazhvilluara si Shqipëria, të cilat e kanë paguar më pas këtë lloj ligji me plagosje të tmerrshme mjedisore e pasoja tragjike për njerëzit. Ligji i importit të plehrave në Shqipërinë e sotme është antikombëtar. Eshtë antieuropian. Eshtë antinjerëzor. Çfarë arsyeje kanë ata që do na e sjellin këtë peshqesh me duart e qeverisë shqiptare t’i bien plehrat në Shqipëri, nëse ky do të ishte një biznes i pastër fitimprurës e pa probleme komplekse? Asnjë arsye s’do kishte, po fatkeqësisht ka vetëm një: Shqipëria e tradhëtuar nga sundimtari i saj mund t’i mbajë në kurriz edhe plehrat e botës përveç të vetave. Shqipëria e tradhëtuar nga qeveria e saj mund të detyrohet të hajë plehrat e botës pa bërë naze. Shqipëria e sëmurë nga plagët e saj mjedisore që nuk kontrollon dot asgjë në hyrjet e saj, mund të gëlltisë symbyllur edhe plehra radioaktive. Njësoj si Somalia, si Haiti, si Etiopia e si të tjera vende që e kanë paguar shtrenjtë, me lëkurën e popullit, këtë ushqim helmatik që Saliu do t’i fusë Shqipërisë në bark me dhunën e kartonave të ngritur qorrazi nga shumica e tij e vjedhur.

Ja edhe një arsye pse Saliu vodhi votat për të qëndruar me pahir në pushtet. Që të importojë plehra e t’ia fusë Shqipërisë në fytin e sëmurë, ndërkohë që ujrat e lumenjve po idhtohen nga papastërtitë edhe pa plehrat e botës. Ndërkohë që toka e bukës po sëmuret nga papastërtitë edhe pa plehrat e botës. Ndërkohë që ushqimi i prodhuar në vend po kërcënohet nga papastërtitë edhe pa plehrat e botës.

Presidenti i Republikës e ktheu mbrapsht ligjin e plehrave që rrezikojnë ta mbysin Shqipërinë e përpëlitur mes plehrave. Ne e kemi kundërshtuar me zë të lartë këtë ligj dhe do ta kundërshtojmë përsëri edhe më fort. Saliu s’ka dyshim se do ta mbrojë edhe më me forcë. Duke mallkuar përsëri opozitën dhe padyshim edhe Presidentin. I cili me siguri i’a ka nxirë pamjen edhe më zi se ç’e ka këto kohë duke i’a kthyer plehrat peshqesh në derën e Kuvendit, ku përbetohet se do ja bëjë opozitës fytyrën më të zezë se këpuca tamam ditën kur Bashkimi Europian i’a ka kthyer për të dytën herë, si askujt tjetër, Shqipërisë së qeverisur prej tij aplikimin për statusin e kandidatit.

S’ka dyshim se Saliu do ta ripaketojë edhe njëherë këtë peshqesh dhe do u’a çojë shqiptarëve derë më derë. T’i gëzoni plehrat e botës, kjo është një ditë e lumtur, një arritje historike, një vendimmarrje që tregon se Shqipëria ka ndryshuar aq shumë sa mund të marrë përsipër të lehtësojë edhe botën nga barra plehrave që bota s’i mban dot në oborrin e madh të shtëpisë së saj. Dhe mallkuar qoftë opozita që s’do plehrat e botës në Shqipëri. Opozita, opozita, opozita, në majë të gjuhës për të justifikuar çdo dështim e krim si ky i importit të plehrave që ka vetëm një shkaktar: Qeverinë. Saliun.

Opozita që bllokoi integrimin me luftën për votën e lirë, ndërkohë që BE-ja thotë: S’ka integrim, s’ka status kandidati, s’ka afrim të mëtejshëm drejt Brukselit pa zgjedhje të lira. Opozita që bëri puç me stilolapsa e çadra, ndërkohë që BE-ja thotë: S’ka kandidaturë për në BE pa zbardhur deri në fund 21 janarin e ndëshkuar ligjërisht vrasjet. Opozita që shpif, ndërkohë që BE-ja thotë: Korrupsioni është ngjitur në majën e qeverisë. Opozita që nxin realitetin e ekonomisë së dytë në botë pas Gjermanisë, ndërkohë që BE-ja thotë: Ekonomia shqiptare është në regres. Opozita që nuk voton ligjet me 3/5-at, ndërkohë që BE-ja thotë: Qeveria duhet të krijojë kushtet për një proçes gjithëpërfshirës. Opozita që propozon një pazar të ndyrë me 10 pika, ndërkohë që BE-ja thotë: 10 pikat e opozitës mund të jenë një bazë e mirë për të dalë nga ngërçi.

Nëse ndokush ka parë ndonjë opozitë në botën demokratike që t’i vejë pas me karton jeshil në dorë qeverisë le të ma tregojë. Unë kam parë vetëm qeveri që i venë pas opozitës kur u duhet vota e saj. Jo duke i thënë do të ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca, po bujrum të flasim si mund t’i bëjmë votat bashkë për këtë ligj apo atë vendim madhor. S’ka bërë vaki ndokund në vendet ish-komuniste që sot janë në Bashkimin Europian kjo që bën vaki në Shqipëri. Prandaj ata janë atje ku janë dhe ne jemi këtu ku jemi, me plehrat tona mbi trup e plehrat e botës tek dera. Ata shkuan në BE duke ndarë qartë ç’është e shtetit dhe ç’është e pushtetit. Për ç’është e shtetit u ulën me opozitën dhe punuan si të barabartë për një kauzë kombëtare e historike, barabar të rëndësishme për të dyja palët. Për ç’është e pushtetit qëndruan përballë, njëra palë në shumicë e tjetra në pakicë, kundër. Si kudo. Ja si dhe pse hynë në BE. Kurse këtu, në Shqipëri, Saliu thotë shteti dhe pushteti janë një e të pandarë, opozita është armiku i Shqipërisë, i Bashkimit Europian, i botës mbarë. Celulë antieuropiane dhe bum me pushkë, bam me fjalë, bam e bum me shkatërrime e me plehra që oborri i tij të pasurohet sa më shumë dhe shteti të bëhet hije që e ndjek atë pas në luftën për heqjen qafe të opozitës.

Kur e dëgjon atë dhe korin e tij që kërkon ta bëjë Shqipërinë vendin e plehrave, duket sikur për të gjitha gjërat që shkojnë së prapthi e ka fajin opozita. Ndërsa për gjërat që kanë vajtur mire si futja në NATO apo liberalizimi i vizave meritën e ka qeveria që mundi opozitën. Ndërkohë që të gjithë e dinë se në NATO hymë pasi bëmë paktin e reformat që na u kërkuan. Ndërsa liberalizimi u bë pasi më në fund, me vite të tëra vonesë për shkak të Saliut, BE-ja hoqi vizat për shqiptarët për të mbyllur projektin e saj të lëvizjes së lire, kur qeveria arriti t’i bënte detyrat e veta të stërprapambetura. Të cilat s’kishin asnjë lidhje me opozitën, po me punë qeverie. Si mund të shkojmë më tej nëse nuk i referohemi përvojës së parafutjes në NATO? Si mund të vazhdojmë më tutje nëse ditët e javët ikin kështu, me avazin e vjetër të opozitës armike e të qeverisë heroike? Si mund të dalim nga provimi i dytë ngelës në Bruksel me mendje të mbledhur për të kaluar provimin e tretë, nëse nuk ndajmë përgjegjësitë dhe punët?

Ne e dimë kush është përgjegjësia jonë dhe i kemi bërë hapat tona, duke propozuar një pakt të thjeshtë, të qartë, të mjaftueshëm si bazë diskutimi për gjetjen e pikave të përbashkëta të axhendës së integrimit. Saliu jo. Ai e ka mendjen sesi të hedhë fajin mbi opozitën dhe ta bëjë Shqipërinë vendin e plehrave, duke nxjerrë fitime edhe nga plehrat e botës e jo vetëm nga paratë e shtetit, nga pasuritë publike, nga pronat e të tjerëve. E pastaj s’ka si mos ngatërrohet kur flet në publik e u thotë fshatarëve të varfër “Ju po punoni për të mirën e familjes time”, sepse në fakt kjo është e vërteta dhe aq shumë sa ai po merret veç me punët e tij në kurriz të njerëzisë, mendja e ka vështirë të ndërrojë gjthnjë marsh në çastin e duhur. Kështu s’dihet sa zgjat, po është e sigurtë që për sa kohë të zgjasë ka vetëm zvarritje mes plehrash. a.y/NOA

Në foto: Kryetari i PS Edi Rama

KOMENTE
  • Nasho Koroveshi fredi st louis00:31 - 16 Tetor 2011
    z. Rama per cdo gje qe eshte kunder Z.Sali e aprovon pa nje pa dy duke i vene epitet me te cuditshme. KURRE NDOJNEHERE NUK FLET PER BUKEN E GOJES ,PER TE PAPUNET , PER HALLET TONA . THote qe do te beje paqe me Z. SALI dhe cdo fjali e nis me: e dine te gjithe 'e dine te gjithe.... C'fare dime ne " te gjithe" !!! more EDI? UNE PER VETE DI KETE : Qe nuk kam pune qe do te thote nuk ushqej dot familjen ,nuk coj dot femijet ne shkolle , nuk kane kujdes shendetesor nuk kane kushte mnimale banese e nuke tetjera ... SI une qe po flas ne lagjen time jane 3\4 e banorve dhe jane njerez te nderuar : mesues, zanatlinje e duararte per cdo pune dhe nuk jane as dembela as mashtres , as kriminela ,as hajdute as politikane .Jane NJEREZ me germe te madhe , jane NJEREZ qe moren pjese te paret ne permbysjen e diktatures dhe besojne me shpirt ne demokeacine dhe shtetin e se drejtes.Po ju , po ti EDI C'FAR KE BERE PER NE?