Jarinjë, 15 tetor 2011, NOA- Ngelet sërish problem largimi i barrikadave kryesore në Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo ka qenë dhe tema kryesore e bisedës mes komandantit të KFOR-it Erhard Drews dhe drejtuesve serbë gjatë takimit të sotëm në Leposaviq. Siç raporton Gazeta Express gjenerali ka kërkuar heqjen e barrikadave të vendosura në drejtim të Jarinjës dhe Bërnjakut, në mënyrë që automjetet e KFOR-it të qarkullojnë lirshëm, ndërsa krerët e strukturave paralele serbe nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë, nën argumentin se nuk mjafton koha. Sipas palës serbe ky vendim duhet diskutuar edhe me banorët në ato zona. Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Erhard Drews, ka përcjellë mesazhin se ai pret largimin e pakusht të bllokadave të rrugës me qëllim që njerëzit, shërbimet emergjente, EULEX-i dhe KFOR-it të munden të lëvizin lirshëm në të dyja akset rrugore, për në Jarinjë dhe Bërnjak. Gjithsesi serbët kanë paralajmëruar se nuk do të largojnë barrikadat e vendosura në rrugë në shenjë pakënaqësie për shkak të vendosjes së policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31 në veri. Në lajmërimet e mëparshme largimi i barrikadave kryesore ishte parashikuar që të përmbyllej të ditën e hënë. a.y/NOA