English

Shkelja e orareve në transportin urban, Bashkia: Do heqim licensat

Tiranë, 15 tetor 2011, NOA - Bashkia e Tiranës u bën thirrje të gjithë operatorëve të transportit urban në kryeqytet të përmirësojnë shërbimin sipas kushteve të kërkuara. Në një dalje për mediat, Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi, u kërkoi të gjithë operatorëve që të respektojnë oraret e vendosura, nga ora 05 e mëngjesit, deri në orën 24.00, orarin e përcaktuar për t’u paraqitur në stacion, si dhe shërbim korrekt ndaj qytetarëve. Ibrahimi tha se, në saj të një pune 1 mujore të vëzhgimit të 10 linjave urbane në qytet, janë konstatuar 109 shkelje administrative të cilat janë ndërshkuar me gjobë. “Sa i përket nisjes, fillimit të punës në orën 5 të mëngjesit kemi hasur problematika të mëdha. Shpesh subjeketet e shmangin këtë orar dhe orarin e përfundimit në orën 24.00, gjë të cilën e kanë detyrim kontraktual ligjor. Kemi hasur parregullsi, sa i përket ambienteve, pastërtisë, pajisjes me biletë të pasagjerëve, uniformave, tabelave, në gjithë aspektet dhe rregullat, për të cilat kemi rënë dakord me operatorët”, tha Ibrahimi. Kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve paralajmëroi se nëse nuk respektohen kushtet ndaj shërbimit për qytetarët në transportin urban, do të merren masa deri në heqjen e licencave ndaj operatorëve përkatës. a.q/NOA

KOMENTE