Tiranë, 15 Tetor 2011 NOA Update - Zjarri që shpërtheu mbrëmjen e sotme është në shuarje e sipër dhe flakët janë lokalizuar në çisternën ku shpërtheu tek pika e depozitave të karburantit në Kashar tek superstrada që lidh Tiranën me Durrësin. Dilaver Laçi, drejtor i Repartit për Mbrojtjen Kundër Zjarrit dhe Shpëtimit nga Katastrofat të qarkut Tiranë, konfirmoi se është lokalizuar zjarri dhe situata është vënë nën kontroll rreth një orë pas nisjes së flakëve. “Në dispozicion të situatës së krijuar janë vënë nëntë makina zjarrfikëse dhe 80 forca të ekipeve të shpëtimit të MKZ”, - tha Laçi. Ai tha se shkak i mundshëm i shkakut është shpërthimi në rrethana ende të paqarta të zjarrit në çisternën që gjendet tek depozitat e karburantit dhe gazit të lëngshëm. Laçi konfirmoi se nuk bëhet fjalë për rrezik të përhapjes së zjarrit në depozita gazi të lëngshëm. Kurse pohoi se përreth vendngjarjes ka disa magazina private me mallra të ndryshme. Sakaq një grup hetimor është ngritur në vendngjarje. Ende nuk ka të dhëna të qarta për shkaqet se pse nisi shpërthimi tek depozitat. e.t/NOA