Goricë, 15 tetor 2011, NOA - Nis Projekti i Prespës për Mbështetjen e Administratës së Parkut Kombëtar. “Festimet e përvitshme të ‘Tetorit Gjerman’ në Shqipëri janë kuadri i duhur për nisjen e një programi ambicioz pesëvjeçar që ndihmon Parkun Kombëtar të Prespës, me një buxhet total prej 3.556 milion euro”, tha sot në Goricë, Albert Luig, përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane në Shqipëri. Zëvendësministri i mjedisit, Bino theksoi se titulli zyrtar i projektit është “Rezervati Ndërkufitar i Biosferës Prespa – Mbështetje për Parkun Kombëtar të Prespës në Shqipëri. Projekti do të përmirësojë infrastrukturën e Parkut Kombëtar duke e pajisur stafin e parkut me mjetet e duhura dhe me një ndërtesë me zyra të restauruara dhe të zgjeruara në Goricë. Më tej, do të ndërtohen portat e hyrjes në park dhe një qendër vizitorësh për të informuar vizitorët, mbi bukurinë e rajonit dhe për biodiversitetin e tij të rrezikuar. Tashmë Parku Kombëtar ka një logo të re si të një korporate moderne, e cili do tregojë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare se një administratë moderne dhe efektive po punon për të ruajtur vlera unike të biodiversitetit të këtij rajoni. Stafi i parkut do të trajnohet për zbatimin e detyrimeve të nevojshme ligjore dhe për funksionet e shërbimit me banorët dhe vizitorët, sipas metodave më të fundit, sikurse veprohet në parqet e tjera të njohura ndërkombëtare. Gjithashtu do të hartohet edhe një plan menaxhimi për administrimin e duhur të biodiversitetit dhe të vlerave kulturore të parkut, në mënyrë që kërkesat e popullatës së zonës të harmonizohen me nevojat për ruajtjen e biodiversitetit. a.q/NOA