English

Tahiri: Dialogu me Serbinë, ndoshta në nëntor

Prishtinë, 15 tetor 2011- Me gjithë kërkesat e BE-së, Kosova dhe Serbia nuk pritet që të rifillojnë dialogun teknik për çështjet e energjisë, telekomit dhe bashkëpunimit rajonal në këto ditë të mbetura të muajit tetor. Paralajmërimi erdhi nga udhëheqësja e Ekipit Negociator të Kosovës, Edita Tahiri. Zonja Tahiri deklaroi se kjo çështje varet nga presioni diplomatik i Brukselit. “Orientimisht, mendoj se ndoshta fillimi i nëntorit mund të jetë një kohë e përshtatshme për vazhdimin e raundit të radhës të bisedimeve”, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri për gazetën Express. “Mendoj se diplomacia e ndërmjetësit Cooper në raport me Beogradin ka të bëjë me bindjen e palës serbe se nuk do të ketë kurrfarë teme politike në dialogun teknik. Delegacioni i Prishtinës pret që të hapen edhe tema tjera, jopolitike me Serbinë, pasi të diskutohen ato që janë në axhendë, tha kryenegociatorja Tahiri. “Ato ndërlidhen me transportin tokësor, hekurudhor dhe ajror. Pastaj është çështja e kthimit të pensioneve të qytetarëve të Kosovës që janë pensionuar në Serbi, çështja e kursimeve bankare, kompensimet nga dëmet e luftës si dhe kemi hapur çështjen e të pagjeturve, dëmshpërblimi për trashëgiminë kulturore dhe fetare të Kosovës”, ka theksuar Tahiri. Pala e Kosovës pret që presioni i Bashkimit Evropian të japë efekte si në zbatimin e marrëveshjeve ashtu edhe në rikthimin e dialogut. “Në qoftë se pala serbe përcaktohet të mos jetë bashkëpunuese, siç ka bërë në të kaluarën, mendoj se kjo do t’u kushtojë progresin drejt integrimit në BE”, tha zonja Tahiri. Koha.net/NOA

KOMENTE