English

Topi, Berishës e Topallit: Po të ishte Fishta gjallë do t’i vinte turp nga ju!

Tiranë, 15 Tetor 2011 NOA – Nuk ka të ndalur lufta politike mes numrit një dhe numrit dy të shtetit. “Po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë”. Ishte ky reagimi sonte i Presidentit Bamir Topi përmes zyrës së tij të shtypit, pas deklaratës së mëhershme të Topallit: “Në lidhje me qëndrimin "institucional" dhe që nuk i bën nder Presidentit të Republikës, Kryetarja e Kuvendit sqaron se: Jozefina Topalli flet me krenari dhe me vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!”. Reagimi I Topallit erdhi pasi sot pasdite nga Shkodra, Presidenti u shpreh: ““Këto zonja, apo zotërinj duhet të mësojnë pikërisht artin e komunikimit qytetar, të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, sepse komunikojnë publikisht me Institucionin e Presidentit të Republikës. Ju e dini që, për definicion, spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do u thoja të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytetar dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”. e.t/NOA

KOMENTE