Tiranë, 15 tetor 2011, NOA - Presidenti Bamir Topi i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjarëve njërës prej figurave më të njohura të artit skenik dhe kinematografisë shqiptare, aktorit të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Ndrek Prela. “Në mendjen dhe kujtesën e shqiptarëve e artdashësve do të mbeten gjithnjë të pashlyeshme jo vetëm personazhet artistike në skenë dhe në kinematografi që aktori i talentuar Ndrek Prela krijoi e i bëri të pavdekshëm, por edhe e gjithë veprimtaria e tij njerëzore e artistike”, theksohet në mesazhin e presidentit Topi. Sipas kreut të shtetit aktori Ndrek Prela është një nga pionerët e artit skenik dhe kinematograf shqiptar, i cili ia kushtoi jetën dhe veprimtarinë e vet artistike popullit të tij. “Më lejoni të ndaj me ju ngushëllimet më të sinqerta e t’ju gjendem shpirtërisht pranë në këtë moment dhimbjeje për humbjen e pazëvendësueshme të njeriut tuaj të shtrenjtë!” – thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Topi. a.q/NOA