Pejë, 16 tetor 2011- I njohur si komandant “Rexha” gjatë luftës në Kosovë, Adrian Krasniqi, në 14-vjetorin e vrasjes së tij nga serbët u shpall sot “Hero i Kosovës”. Krasniqi ra heroikisht në 16 tetorin e vitit 1997 në fshatin Kliqinë të Pejës i vrarë nga policia serbe. Titullin e lartë kushtuar ushtarit të UÇK-së 14-vjet pas vdekjes e dorëzoi Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Pas ceremonisë së dekorimit të heroit Krasniqi në 14-vjetorin e rënies së tij në mbrojtje të lirisë së Kosovës, Presidentja Jahjaga e shoqëruar nga autoritete të Kuvendit Komunal të Pejës nderoi heroin duke u përkulur përpara lapidarit dedikuar atij në Pejë, ku vendosi edhe buqeta me lule. “Unë, presidentja e Kosovës, kam dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës” Adrian Krasniqin për trimërinë dhe përkushtimin e treguar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe për flijimin e tij për pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Presidentja e Kosovës, gjatë dekorimit me titullin më të lartë institucional të njërit prej çlirimtarëve të orëve të para të UÇK-së. Kryetarja e Shtetit të Kosovës theksoi se heroi Krasniqi u rreshtua në vargun e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për çlirimin dhe përparimin e popullit. Sipas zonjës Jahjaga, Adrian Krasniqi dhe shumë heronj e dëshmorë të tjerë dhanë jetën e tyre që i tërë populli i Kosovës të jetojë i lirë në një shtet me të drejta të plota në BE, anëtar i NATO-s dhe mik i përjetshëm me SHBA-të. KD/mit/NOA