Tiranë, 16 tetor 2011, NOA- Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë, Bogdan Zdrojevski. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të thelluar dhe zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat. Më tej ai vlerësoi vizitën e Zdrojevskit në Shqipëri si një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kryeministri i shprehu ministrit polak falënderimet për mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë polake, si në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në proceset transformuese të vendit, ashtu edhe në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ministri polak theksoi se Polonia ka qenë një mbështetëse në anëtarësimit e Shqipërisë në NATO dhe se do të vazhdojë ta përkrahë dhe mbështesë fuqimisht atë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Zdrojevski u shpreh më tej se Polonia inkurajon integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe se në këtë kontekst, Shqipëria është në rrugën e duhur ku vlerësoi përparimet që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit, duke nënvizuar se ndryshimet në shumë fusha si, infrastrukturën rrugore, në fushën e ekonomisë, turizmit, kulturës etj., janë kolosale dhe të dukshme. Ndërsa lidhur me bashkëpunimin kulturor turistik, ministri polak i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin intensiv në fushën e arkeologjisë mes dy vendeve, si dhe garantoi angazhimin e qeverisë polake për të forcuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë. Në këtë linjë ai theksoi se edhe prania e më shumë se 200 operatorëve turistikë polak në Shqipëri është shprehje e interesit në rritje që Polonia ka për vendin tonë. Gjithashtu, edhe Kryeministri Berisha vlerësoi rëndësinë e pranisë së më shumë se 200 operatorëve turistikë polakë në Shqipëri si një inkurajim për rritjen e fluksit te turistëve nga ky vend, në Shqipëri. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha i përcolli ministrit Zdrojevski urimet për Kryeministrit e Polonisë Donald Tusk, me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë post. a.y/NOA
Në foto: Kryeministri Berisha gjatë takimit me Ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë, Bogdan Zdrojevski