Vlorë, 16 tetor 2011, NOA – Në kuadër të regjistrimit të popullsisë, PDIU, partia që mbron interesat çame e ka ndalur turin e saj “Ji krenar që je shqiptar” në qytetin e Vlorës. Gjatë tubimit të organizuar me ndihmën e Klubit të Patriotëve të Rinj dhe shoqatës “Çamëria”, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë abuzimin me censusin, por të deklarojnë me krenari përkatësinë etnike. Duke mbrojtur amendamentet e PDIU për etninë dhe fenë, Idrizi hodhi poshtë akuzat e përfaqësuesve të minoritetit grek se gjobat për ata që japin deklarim të rremë mbi kombësinë janë të paligjshme. Sipas Idrizit kushtëzimet që do të vinin prej të dhënave fiktive të censusit do të ishin shumë të rënda. “Ky shtet butaforik, ku deputetët kanë dhe hamame dhe palestra në godinën e parlamentit, ku paguheshin pensione për qindra mijë të vdekur, ky shtet që ka harxhuar paratë europiane për të zhvilluar politika ekspansioniste në vendet fqinje, nuk do ta ketë këtë hapësirë që pretendon nëpërmjet censusit. Ne vazhdojmë t’i mbahemi pikëpamjes se pyetësori i censusit nuk duhej të përmbante pyetjet për përkatësinë etnike dhe fetare, sepse ato janë antikushtetuese”, tha Idrizi. Ai nënvizoi se kushdo që do të deklarohet si grek në një kohë kur në regjistrin e gjendjes civile është shqiptar do të penalizohet. Kreu i PDIU-së bëri me dije se masa të ngjashme administrative merren edhe në vende të tjera si Itali, ku aktualisht po zhvillohet regjistrimi dhe kushdo që refuzon të përgjigjet ose e jep atë të rreme gjobitet. “Vetëdeklarimi, nuk është vetëpërcaktim. Vetëdeklarim do të thotë të deklarosh vetë dhe i lirë atë që je, pra atë që ti e fakton se je. Për kombësinë ne kemi faktin që është i shënuar në regjistrin e gjendjes civile. Si pasojë, amendamentet tona në thelb, sanksionojnë një vetëdeklarim korrekt dhe të saktë, e nga ana tjetër mbyllin mundësinë e abuzimit me këtë proces”, u shpreh Idrizi. Pas Vlorës, turi “Ji krenar që je shqiptar” do të ndalet në qytetin e Fierit. mit/NOA