English

KFOR shtyn afatin për heqjen e barrikadave

Mitrovicë, 16 tetor 2011, NOA – KFOR-i ka shtyrë deri të martën afatin për heqjen e barrikadave serbe nga rrugëkalimet për në pikat kufitare në veri të Kosovës. Lajmin e bëri me dije komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drevs, duke u dhënë më shumë kohë qytetarëve të veriut të Kosovës në largimin e barrikadave rrugore. “Përfaqësuesit e komunave të Leposaviçit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë kërkuar më shumë kohë dhe komandanti i KFOR-it ka vendosur t’u ofrojë një ditë shtesë. Komandanti i KFOR-it vlerëson vullnetin e tyre për t’i hapur rrugët për furnizimin e trupave të KFOR-it në Jarinje dhe Bërnjak dhe kampin Nothing Hill”, thuhet në komunikatën e KFOR-it. Misioni i KFOR-it shpreh përkushtimin për të vijuar në mënyrë të paanshme e me kujdes sigurimin e rendit dhe qetësisë në veri të Kosovës si dhe lirinë e lëvizjes për njerëzit e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Më herët, KFOR-i kishte paralajmëruar se largimi i barrikadave do të bëhej ditën e hënë. Kosovapress/NOA

KOMENTE