Nga Afrim Krasniqi
Vendimi negativ i Komisionit Europian për Shqipërinë tashmë është zyrtar. Dihej, ishte paralajmëruar, pritej dhe ndodhi. Shqipëria humbi shansin e dytë të integrimit, por këtë herë humbja është e dyfishtë: bashkë me statusin e kandidatit Shqipëria humbi edhe klasifikimin e saj rajonal, duke u renditur pas Serbisë dhe Malit të Zi, vende të cilat 12 vjet më parë ishin pjesë e Jugosllavisë së Millosheviçit. Nuk ka asnjë dyshim se vendimi i BE nuk është diskriminues për shqiptarët, është vendim realist dhe i merituar.
Kriteret e përcaktuara nga BE për marrjen e statutit kandidat janë para së gjithash kritere jetike për çdo demokraci funksionale, për standardet e shtetit të së drejtës dhe kërkesës së vetë qytetarëve për mirëqënie e zhvillim ekonomik. Kur BE kërkon që Shqipëria të ketë dialog politik, bashkëpunim dhe reforma, administratë jopartiakë dhe rezultate konkrete kundër korrupsionit, drejtësi të pavarur dhe zgjidhjen e çështjes së pronësisë mbi tokën, masa kundër varfërisë dhe forcim të institucioneve kushtetuese, - Brukseli nuk po kushtëzon interesat e tij mbi interesat shqiptare, por në fakt po bën të kundërtën; - po kërkon plotësim të kritereve që janë tërësisht në interes të vetë shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve shqiptarë.
Reagimi ynë mbetet parademokratik. Prijësat tanë politikë, ata që kanë detyrë e përgjegjësi për të marrë vendime politike në emrin tonë, ata që na morën votën për të na qeverisur dhe që flasin në emër të sovranitetit popullor, - jo vetëm nuk bënë asgjë për të parandaluar humbjen e shansit të dytë për Shqipërinë, por po e përdorin këtë humbje për të paralajmëruar humbjen e këtij shansi edhe në të ardhmen. BE e tha qartë: asnjë nga 12 kriteret nuk janë përmbushur. Katër prej këtyre kritereve kërkonin votat e opozitës, e cila duhet thënë se kaloi një vit duke u marrë me veten, jo me qytetarët. Tetë kriteret e tjera kanë të bëjnë me qeverinë dhe instrumentet e saj politike dhe administrative. Edhe ajo kaloi një vit duke menduar si të fitojë votat në Tiranë dhe jo të mendojë për qytetarët. Aleanca për Qytetarin në fakt u shndërrua në Aleancë për Pushtetin, kurse grupimi opozitar i Aleancës për të Ardhmen mbeti imitim i vjetër i aleancave të së shkuarës. Mallkimi shqiptar i prijësve politikë që tallen, fyejnë qytetarët, injorojnë ligjin dhe përgjëgjësitë publike, abuzojnë me pushtetin dhe sovranitetin, luftojnë me çdo mjet për pushtet dhe e shohin të keqen e vendit tek kundërshtari politik, që shesin e shiten sipas interesave personave, që preferojnë më mirë vetizolimin e ri të vendit sesa cënimin sadopak të posteve e privilegjeve të tyre politike – u përsërit në variantin modern, duke e shndërruar Shqipërinë në modelin negativ të rajonit ballkanik.
Çfarë e pengoi mazhorancën të mbante premtimin për qeverisje me duar të pastra? Çfarë e pengoi atë të shkarkonte zyrtarë të korruptuar dhe të distancohej nga ministra edhe më të korruptuar? 16 vjet më parë kjo mazhorancë desh dërgoi në burg dy ministra që akuzoheshin për dëm material me vetëm disa dhjetra drurë pyjorë, sot kjo mazhorancë ka bërë simbol të saj ministra e zyrtarë që akuzohen për përfitim ose abuzime me disa milionë euro, për shitje e blerje tokash bregdetare, pronash publike, pyjesh e deri edhe linjat e komunikimit teknologjik. Kjo mazhorancë që shkarkoi në katër minuta ministra të akuzuar për abuzime me detyrën, sot është avokate e vendosur e zyrtarëve të lartë që akuzohen për përvetësime në shuma marramendëse, për abuzime in ekstremis me ligjin e pasurinë publike. Çfarë ka ndodhur? Mazhoranca është peng i shifrave në parlament. Ajo pranon ndarjen antikushtetuese të pushtetit civil, pranon çdo shantazh e abuzim në shkëmbim të qëndrimit me çdo kusht në pushtet. Përballë saj është një opozitë pa identitet, pa vizion mbi të ardhmen e saj dhe të Shqipërisë, e papërgatitur për të qenë alternativë e besueshme dhe e gatshme të marrë pushtet vetëm nëse shqiptarët zhgënjehen masivisht tek pala tjetër. Pra, një opozitë që shpreson tek vota tradivionale KUNDER pa qenë e aftë të synojë votën PRO të shqiptarëve.
Çfarë i pengoi palët të zbatojnë vendimin e gjykatës kushtetuese për zëvendësimin e tre anëtarëve? Çfarë i pengoi ato të zgjedhin avokatin e popullit apo të zbatojnë ligjin mbi administratën publike? Çfarë i pengoi ato të kenë sjellje racionale përballë institucioneve kushtetuese, të respektojnë vendimin dhe pavarësinë e tyre? Pengesa e vetme është mentaliteti i pushtetit: lider dhe parti që duan të kenë gjithçka nën kontroll, që nuk mendojnë të qeverisin qytetarët por ti sundojnë ata. Një mazhorancë që tallet me veten, Shqipërinë dhe BE kur thotë se arritjet e saj në arsim, shëndetësi apo ekonomi janë më të lartat në Europë; një opozitë që tallet me veten, Shqipërinë dhe BE kur thotë se zgjidhja e krizës merr fund me shkarkimin e kryetarit të radhës në KQZ! Shqipëria meriton më shumë. 20 vjet pas rënies së komunizmit dhe perdes izoluese, kemi arritur aty ku nuk duhet ti uronim të ishin vendet kundërshtare në rajon: të fundit në listë, të parët në kritika e probleme!
Bindja ime ka qenë e mbetet e pandryshuar: përgjegjësit e dështimit janë dy liderit kryesorë politikë, stafet e tyre militante dhe ndjekësit mitingash në parlament. Opozita ka përgjegjësinë e bojkotit dhe kokëfortësisë ballkanike në vendimmarrjet e rëndësishme, por përgjegjësia kryesore mbetet e mazhorancës. Sepse ajo ka mandat për të qeverisur. Nuk mund të qëndrosh pafund në pushtet duke thënë se nuk qeveris dot se nuk më voton opozita. Askund opozita nuk voton qeverinë, vetëm në vendet ku ajo emërohet nga qeveria. Mazhoranca duhet të marrë përgjëgjësi me sjellje e veprime serioze. Nuk ka lider politik në perëndim që thotë se e keqja e vendit të tij është opozita. Në një vend të BE si Sllovakia qeveria kërkoi votën e opozitës për vendimin e paketës euro në BE dhe në shkëmbim i miratoi asaj kërkesën për zgjedhje të parakoshme. Në Itali Berluskoni kërkoi votbesimin e tij. Imagjinoni sikur të kishin qenë këta tanët në pushtet në Sllokavi apo Itali! Por ky është dallimi thelbësor: ata janë në BE dhe meritojnë të jenë në BE, ne jemi jashtë saj dhe meritojmë të mbetemi edhe më tej jashtë saj.
Në mënyrë paradoksale nga vendimi i drejtë i BE nuk kanë humbur liderit që drejtojnë forcat politike. Ata janë të fituar sepse janë më pak të monitoruar e të kontrolluar, kanë më shumë hapësirë për të fyer e baltosur këdo institucion e individ (gjënë e vetme që dijnë të bëjnë mirë). Kanë humbur qytetarët, ka humbur shoqëria sepse nga dje ëndrra europiane është bërë e largët, largësi që po shtohet dita ditës nga ato sjellje parapolitike dhe mesjetare që shohim në parlament: në krye të tij, në të majtë e të djathtë të tij. Kanë humbur qytetarët sepse ata sot nuk kanë më asnjë mekanizëm kontrolli mbi politikën: vota e tyre nuk numërohet, vullneti nuk respektohet, aspiratat e tyre shkelen me këmbë dhe së fundi, atyre nuk po u lejohet të mendojnë e gjykojnë jashtë ndarjes bardh e zi, jashtë vijës zyrtare të PD ose PS. Koha e sotme nuk është më kohë për qytetarët, por për pushtetarët e çdo lloji, të cilët vlerat qytetare të këtij vendi i kanë zëvendësuar me modelin e kukullave ruse ku të gjitha madhësitë imitojnë liderin, ku duartrokitet marrëzia, mbyllen veshët para zërave të arsyeshëm, fyhet edhe inteligjenca mesatare dhe mungon tërësisht vizioni, ndjesia, morali politik dhe përgjegjshmëria.
Në seancën e fundit dikush tentoi t’i fajësojë të gjithë shqiptarët, si armiqtë më të medhenj të vetes. E ka thënë Konica 100 vjet më parë, por e ka thënë ndryshe: nuk janë shqiptarët pengesa kryesore e ecjes përpara, janë politikanët mesjetarë e arrogantë, kërcënues dhe antidemokratikë që e kanë përdorur pushtetin për qëllime personale, në funksion të karrierës dhe ambicjeve pafre, pa pyetur për qytetarët, votën, mendimet, dëshirat dhe aspiratat e tyre. A nuk janë këta tanët një specie e tillë politike e rritur, edikuar, kultivuar dhe brumosur në doktaturë dhe kaq anadollake e zhgënjyese në demokraci? BE, komisionieri Fule dhe kryenegociatori Kukan e thanë me zë të lartë: po, politikatë shqiptarë nuk kanë kulturën dhe përgjegjësinë minimale politike. Ndaj dështimi i tyre mbetet i dhimbshëm, por edhe më i dhimbshëm mbetet paralajmërimi se me këto sjellje dhe modele politike ne rrezikojmë të jemi edhe nesër apo vitin tjetër zyrtarisht vendi i shanseve të humbura.
Gazeta Shqiptare