Prishtinë, 16 tetor 2011– Ndërkohë që në të gjitha vendet e tjera paguan qira për përfaqësitë e saj, Kosova ka blerë ndërtesën e parë për një ambasadë të shtetit të ri, dhe pikërisht në kryeqendrën europiane, në Bruksel. Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Ilir Dugolli deklaroi të dielën për Kosovatimes.net se godina e ambasadës ndodhet në qendër të Brukselit dhe plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për punë. “Është bërë një punë shumë e mirë. Është blerë Ambasada e Kosovës në qendër të Brukselit. Objekti katërkatësh ndodhet në njërën prej lagjeve më prestigjioze. Sipas informacioneve që kemi, blerja e këtij objekti ka kushtuar rreth 2 milionë euro”, tha Dugolli. Ai bëri me dije se godina shtrihet në një sipërfaqe prej afro 800 metrash katrorë, ka hyrje të veçantë për punonjësit, oborr, park dhe hapësira tjera të nevojshme për punët e Ambasadës dhe Konsullatës. Është afër institucioneve evropiane”, nënvizoi ambasadori i Kosovës në Bruksel. Sipas tij ndërtesa që është është blerë nga Ministria e Punëve të Jashtme, deri tani ka qenë pronë e një shoqate për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe shkrimtarëve. “Këtu ka shumë objekte të ndryshme të shoqatave të ndryshme të gazetarëve e shkrimtarëve, por ata kanë vendosur që këtë objekt ta shesin”, tha Dugolli. Megjithatë Dugolli thotë se objekti i blerë nga MPJ për këtë ambasadë nuk do të shfrytëzohet si vendbanimi për ndonjë pjesëtar të stafit diplomatik, por vetëm për punë. mit/NOA