Prishtinë, 16 tetor, NOA -Kosova nuk do të hartojë një strategji të re për veriun, si shenjë përgjigjeje ndaj ftesës së Bashkimit Evropian për një agjendë gjithëpërfshirëse për këtë pjesë të banuar me serbë. Krejt çfarë do të bëjë është një qasje më ndryshe ekonomike.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka thënë këtë dje pwr mediat kosovare.
Sipas tij, Komisioni Evropian nëpërmjet Raportit të Progresit vetëm “ka kërkuar angazhim edhe në aspekte ekonomike, sociale e tjerë” dhe jo një strategji të re. Prandaj, ka thënë se nuk do të ketë një të tillë dhe as përfshirje në strategjinë aktuale të aspekteve të kërkuara në Raport.
Veriu i Kosovës ka zënë një pjesë të madhe të Raportit të Progresit të sivjetmë, i publikuar këtë mërkurë nga Komisioni Evropian. Pos që konstatohet se në këtë pjesë ekzistojnë struktura “separate” të mbështetura nga Beogradi, në të është ftuar Prishtina zyrtare që të dalë me një “agjendë gjithëpërfshirëse për veriun”.
Tek ka komentuar këtë porosi, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Pierr Mirel, ka theksuar se BE-ja sugjeron që të hartohet një plan për veriun, në mënyrë që secila pjesë e Kosovës të ketë perspektivë evropiane. Përveç çështjeve legjislative dhe të sigurisë, sipas tij, rol të rëndësishëm drejt integrimit evropian ka edhe përmirësimi i çështjeve ekonomike e sociale.
NOA/Koha Ditore