English

Përgënjeshtron Presidenca: Topi u mirëprit në Shkodër

Tiranë, 16 tetor 2011, NOA- Institucioni i Presidentit ka reaguar ditën e sotme duke bërë një përgënjeshtrim lidhur me disa botime në të përditshmet shqiptare, në të cilat thuhet se Presidenti i Republikës është larguar ditën e djeshme nga Stadiumi i Shkodrës pak përpara përfundimit të ndeshjes si rrjedhojë e deklaratave mes tij dhe Kryeparlamentares Topalli.. Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit, bën të ditur se këto janë deformime të qëllimshme, që synojnë t’i japin një imazh negativ pritjes së ngrohtë e qytetare që iu rezervua Presidentit si kudo, edhe në qytetin e Shkodrës. Theksohet se Presidenti ishte personaliteti i vetëm që nderoi ditën e djeshme në një ceremoni homazhi, kujtimin e aktorit të paharruar jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, Ndrek Prela. Sipas Drejtorisë së Informimit Publik të Institucionit të Presidentit thuhet se Presidenti Topi i shoqëruar nga miq e dashamirës të shumtë shkodranë, ndoqi ndeshjen Vllaznia - Tirana në Stadiumin e qytetit të Shkodrës dhe largimi pak momente para mbarimit të ndeshjes, lidhej vetëm me detyrimin qytetar e institucional për të respektuar përfaqësuesit e familjeve të nderuara shkodrane, të mbledhura për ceremoninë e paralajmëruar të dekorimit të disa personaliteteve të sportit në qytetit e Shkodrës, që janë pikë referimi për çdo brez. Në vijim thuhet se mirënjohja që iu shpreh Presidentit Topi për vizitën e vlerësimin që dha për figurat e spikatura të sportit, si dhe privilegji i Kryetarit të Shtetit për të qenë së bashku me shumë qytetarë të nderuar të Shkodrës, ishin ndjesitë e përbashkëta që shoqëruan vizitën e djeshme të Presidentit Topi në Shkodër. Deklarata e Presidencës mbyllet duke shprehur se, “Asnjë deformim mediatik i porositur në kushtet e një nervozizmi politik, nuk mund ta cenojë këtë realitet, që është krejt i natyrshëm për vetë kulturën e traditën e njohur të Shkodrës”. a.y/NOA

KOMENTE