English

Përplasja me presidentin Topi, selia blu distancohet nga Topalli

Tiranë, 16 tetor 2011, NOA/ Irma Toptani - Përplasja më e fundit mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli mund t’u shërbejë demokratëve për të kërkuar shkarkimin nga detyra të Kreut të Shtetit. Por, nisur nga reagimet e palëve duket qartë se Partia Demokratike nuk do të përfshihet në betejën e nisur nga Jozefina Topalli. Selia blu nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar lidhur me konfliktin që ka shpërthyer mes nënkryetares së Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës, dikur ish-nënkryetar i kësaj partie. As vetë lideri i demokratëve, kryeministri Berisha nuk është shprehur lidhur me këtë përplasje, ndonëse kishte rastin të reagonte publikisht në një aktivitet me rastin e 30 –vjetorit të pontifikimit të Papa Gjon Palit të Dytë. Selia blu ka lënë të nënkuptohet se kjo është një betejë personale mes zonjës Topalli dhe Presidentit Topi dhe se nuk ka të bëjë me qëndrimin e mazhorancës ndaj Kreut të Shtetit. Ndaj dhe një kërkesë për shkarkimin e Presidentit duket pothuajse e pamundur për vetë riskun e lartë që do të kishte një aksion i tillë politik. Mbështetja që Kreu i Shtetit ka në grupin e deputetëve demokratë hedh poshtë çdo mundësi që një nismë e tillë të ketë sukses. Në mbështetje të Kryetares Topalli dolën një grup të rinjsh nga Shkodra dhe disa personazhe të kulturës nga ky qytet, të cilët kritikuan Presidentin Topi për fyerje ndaj dialektit geg. Notat patriotike që zonja Topalli i dha përplasjes me Kreun e Shtetit duket se kanë qenë një zgjedhje personale e vetë Kryetares së Kuvendit në luftën e nisur ndaj Presidentit të Republikës. Ndaj dhe zoti Topi nuk ka nguruar t’i hedhë poshtë ato si të keqinterpretuara dhe të motivuara nga sjellja jo etike e Kryetares së Kuvendit. Debati në distancë mes Presidentit dhe Kryeparlamentares erdhi pasi mbrëmjen e të shtunës Kreu i Shtetit duke iu referuar akuzave të mëhershme të zonjës Topalli pas rikthimit në Kuvend të ligjit për menaxhimin e mbetjeve urbane, ku ajo e akuzoi Kreun e Shtetit si të majtë dhe madje anti-europian, zoti Topi iu kundërpërgjigj duke thënë se spikerit i duhet të recitojë tekstet që i japin për të lexuar, duke nënvizuar se spikeri mjafton që t’i recitojë ato mirë. Në këtë kuptim Presidenti duke e cilësuar kryeparlamentaren spikere të Kuvendit i tha kësaj të fundit që para se të ndërmarrë akuzat ndaj tij duhet të mësojë artin e të komunikuarit me Institucionin e Presidentit, duke e inkurajuar madje që të mësojë edhe shqipen letrare. Por, Kryetarja e Kuvendit pas pak minutash mbrëmjen e të shtunës do t’i kundërpërgjigjej Presidentit duke e cilësuar atë si Haxhi Qamil që nuk mund ta kuptojë shqipen e saj, që sipas Topallit është shqipja e Fishtës, Migjenit e Gurakuqit. Por, Presidenti nuk e la me kaq, pasi ai me një mesazh të shkurtër përmes zyrës së shtypit të Presidencës bëri me dije se Fishta dhe Migjeni do të ndiheshin të fyer nga gjuha e kryeparlamentares. mit/NOA

Në foto: Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, gjatë ceremonisë me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë.

Në foto: Kryetarja e Kuvendit dhe Presidenti i Republikës gjatë hapjes së një ekspozite

KOMENTE
  • valare16:54 - 17 Tetor 2011
    Partise Demokratike nuk besoj se i interesojne keto polemika , por plotesomi i standarteve qe i dohen Shqiperise per tu pranuar si kandidat per ne BE.