Nga Ervin Salianji
Mbase nuk është etike të flasësh e të shkruash, qoftë dhe të diskutosh, për të ardhmen politike të Presidentit të Republikës. Të këtij institucioni që përfaqëson unitetin e kombit. Por po kaq dhe ende më shumë joetik dhe i paprecedent është deklarimi i një Presidenti në detyrë: “do të krijoj një parti të re djathtas”.
Një parti e djathtë e cila pretendohet se do të kthehet në një pol të tretë ose të katërt në politikë. Tentativa për t’u bërë Ilir Meta i PD-së, nisur nga premisat e deritanishme, është e sigurt që shkon drejt dështimit. Sytë e gjithë atyre që kanë shpresë te kjo lëvizje mund të shkëlqejnë më kot. Pse? Bamir Topi si president i Republikës ka qëndruar më së shumti në hije dhe nuk ka kërkuar dhe shfrytëzuar hapësirat dhe mundësitë që të jep ky funksion i lartë. Në asnjë rast Bamir Topi nuk ka luajtur rolin e një Presidenti që kërkon të japë zgjidhje, por rolin e një individi që nuk ka se çfarë të bëjë; se kaq e ka cakun; ndërkohë që ka pasur mundësi reale për t’u shndërruar në faktor ndikues dhe balancues mes palëve. Si President ka qëndruar gjatë gjithë kohës i dyzuar dhe në hije, duke mos marrë asnjë vendim të rëndësishëm, por duke kaluar në heshtje çdo dekret për ligje të rëndësishme. Duke “folur me heshtje”. Ndryshe nga fraksioni i Metës, Bamir Topi nuk ka pasur ndonjë përplasje publike me PD-në, konfliktet mund të kenë ndodhur nga kulisat e fshehta dhe kryesisht për propozimet e Presidentit për gjyqtarë. Presidenti nuk ka reaguar në asnjë rast për rrëzimin e kandidaturave të propozuara prej tij, qoftë për të ruajtur integritetin e figurës së tij, qoftë të anëtarëve të përzgjedhur prej tij.
Ndryshe nga Topi, Ilir Meta ka qenë një nga drejtuesit realë të PS-së. Ka mbajtur një barrë kryesore në PS gjatë burgosjes së Fatos Nanos dhe gjithnjë ka pasur ndikim në strukturat e PS-së. Topi perifrazohej tipikisht si “çun i mirë” gjatë karrierës në PD, por vetëm kaq. Përgjithësisht nocioni “çun i mirë” është për personat e pavlefshëm në politikë, për individët të cilët nuk kanë identitet të qartë politik dhe ide politike. Topi si “çun i mirë” vegjetoi në PD dhe ishte hije, jo vetëm e Berishës, por edhe e figurave të tjera të spikatura si Bode e Topalli.
Topi nuk mund të jetë Meta i PD-së, sepse, ndryshe nga Meta, Topi është një organizator i keq. Meta ka drejtuar FRESH-in, ka drejtuar qeverinë si Kryeministri i PS-së, Topi nuk ka dhënë asnjë provë deri më sot që mund të etiketohet lider, apo mund të marrë vendime të rëndësishme. Ai nuk denjoi të kandidonte përballë Edi Ramës në vitin 2007 dhe si drejtor i fushatës për Tiranën e çoi në një humbje katastrofike PD-në.
Topi nuk mund të jetë Meta edhe për shkak të ndjeshmërisë së elektoratit respektiv. Meta doli si fraksion pas një përplasjeje të fortë mes grupeve dhe klaneve të PS-së për pushtet. Pakënaqësia e një grupi të madh dhe personalitetesh politike të PS-së bënë që Meta të dorëhiqej nga zv.kryeministri dhe të krijonte LSI-në. Në PD nuk ka luftë të hapur për pushtet dhe në rast se ka një të tillë, Bamir Topi nuk është pjesë e saj, për një arsye të thjeshtë: nuk ka mbështetës në PD sepse gjithnjë ka qenë hije. Nisur nga këto, Topi mund të marrë një pjesë të pakënaqurve të PD-së, mund që në ndonjë rast edhe ta dëmtojë PD-në, por kurrsesi të kthehet në faktor politik. Topi duhet të provojë fatin e tij politik në PD, duke pritur që erërat të ndryshojnë dhe të shihet si shpresë. I vetmi vend ku Topi mund të provohet është PD-ja. Kjo duhet të jetë sfida e tij, sfidë më e vështirë por dinjitoze, dhe jo të fshihet.
Gazeta “Mapo”