Nga Preç Zogaj
Këtë vit, në 80-vjetorin e ditëlindjes shkrimtari i shquar Dritëro Agolli mori urime publike edhe nga zyrtarët e lartë të qeverisë dhe Partisë Demokratike. Të cilët e selitën me tufa lulesh, me urime, madje edhe me deklarata të tipit të Zylos për veprën e tij. Nuk më kujtohet që Dritëro, një guru i së majtës socialiste për sa i përket botëkuptimit dhe angazhimit politik, të jetë uruar me kaq gëzim dhe respekt pesë vjet më parë apo dhjetë vjet më parë nga fasha blu e politikës sonë. Ruaj përshtypjen se në përgjithësi këtij shkrimtari i kanë munguar gjeste të tilla njerëzore nga ana e kundërshtarëve politikë. Edhe pse jeta dhe vepra e tij kanë qenë plot me akte antikonformizmi dhe me gjeste që sfidojnë sjelljet e ngurta.
Personalisht, nuk mund ta harroj se në vjeshtën e vitit 1991 mora qortime të rënda në kryesinë e PD-së, ngaqë si Ministër i Kulturës në qeverinë e Stabilitetit kisha organizuar kremtimin zyrtar të gjashtëdhjetë vjetorit të poetit. Ishin kohë të turbullta, që u pasuan jo me kthjellimin që prisnim në lidhje me qasjen e re të demokracisë ndaj vlerave, por me një rikthim të përmbysur të kriterit politik, si kriter bazë në qëndrimin ndaj intelektualëve dhe krijimtarisë së tyre. Si shkrimtar dhe mendimtar i angazhuar në PS, Dritëro Agolli i ka paguar “haraçin” këtij kriteri të pakuptimtë në shoqërinë e hapur. Jo gjëra të mëdha nga ato që ndodhin në regjimet diktatoriale, por le të themi fyerje, ftohtësi, indiferencë dhe mungesë nderimi nga pala kundërshtare.
Derisa erdhi tetëdhjetë vjetori i tij, kur qeverinë e zbardhi dita me lule dhe urime të ngrohta për të- një kthesë njëqind e tetëdhjetë gradë në krahasim me sjelljen e saj të mëparshme. Mos vallë më 13 tetor 2011 mori fund periudha e përdorimit të kriterit politik partiak në sjelljen ndaj njerëve të kulturës dhe shkencës? Mos vallë kryeministri, ministri i Kulturës dhe kryebashkiaku i së djathtës u kthyen ashtu, të penduar dhe të mallëngjyer nga Dritëroi, ngaqë është plakur dhe nuk merret më me politikë aktive? Sa mirë do të ishte!
Sa mirë do të ishte t’i shihnim ministrat e rinj të së djathtës sot apo të së majtës nesër duke u përkulur me nderim para intelektualëve dhe krijuesve të shquar, që nuk i kanë me vete politikisht në kuptimin e partizan të fjalës, por i njohim dhe i respektojnë si asete të kulturës kombëtare.
Do të ishte mirë vërtetë, por duhet të presim akoma. Për një rastësi të trishtuar lulet dhe urimet e Berishës, Bashës apo Bumçit i shkuan Dritëroit pas urimit të famshëm që ky i ka bërë Lulëzim Bashës në detyrën e tij të re të kryebashkiakut të Tiranës. Kemi arsye të besojmë se është ky urim dhe jo ndonjë arsye tjetër kulturore dhe botkuptimore shkaku i kthesës që morën qeveritarët. Po të mos kishte bërë urimin, që paradoksalisht, i dha më shumë venerim se vepra e tij në aulat qeveritare, ka gjasa që Dritëroi, si gjithnjë, do ta kishte kaluar ditëlindjen vetëm më miqtë e tij dhe me Partinë Socialiste.
Unë nuk e di dhe as kam ndonjë interes ta di kontekstin e atij urimi. Në kushtet e zgjedhjeve normale do ta kisha konsideruar një urim më se të natyrshëm. Panatyrshëmëria e tij ka patur lidhje me farsën e njohur të zgjedhjeve në Tiranë. Dritëroi, në fakt, e ka bërë para se të dilte raporti i ODHIR-it që delegjitimoi plotësisht fitoren me procedurë të Bashës. Por edhe sikur ta kishte bërë pas daljes së atij raporti, sërish do ta konsideronim një gjest sovran dhe të padëmshëm të shkrimtarit, që është tërhequr si Leon Tolstoj në vetminë e muzgut të moshës , që jeton me ëndrrën e tij të paqes kombëtare dhe universale, që ka një huq plaku në fund të fundit, nëse nuk i merren parasysh të tjerat. Në fakt anomalia apo meskiniteti në këtë histori nuk është e nuk mund të jetë urimi në vetvete, por mënyra vulgare, aspak korrekte dhe aspak elegante si e ka trajtuar e përdorur pala e uruar. Që në fillim pala e uruar e mediatizoi shumë, si ujët e pakët, duke tradhëtuar vetminë e saj dhe ndoshta edhe diskrecionin e dërguesit. Mirë që e tepruan herën e parë, meqenëse kishin nevojë për një fjalë të mirë që ta dëgjonte mbarë publiku, por edhe herën e dytë dolën nga shinat e finesës. Si nuk menduan pak se po e fyenin shkrimtarin e vjetër duke vrapuar me lule e kamera drejt tij vetëm se ai kishte shqiptuar një urim?
Edhe po ta kishin të sinqertë nderimin, edhe po ta kishin nga mirënjohja, pa prapavijë politike, thjesht sepse në mes ishte ai urim dhe thjesht sepse Dritëroi është bojkotuar në evente të tilla në të kaluarën, duhej të ishin më diskretë, më zotërinj, duke evituar skenat dhe gjestet e tipit propagandistik. Sepse, duam s’duam, në kontekstin e shpjeguar, gjeste të tillë lenë përshtypjen sikur në nomenklaturën zyrtare të vlerave një furçë është më shumë se vepra, sikur konformizmi është gjithçka, ndërsa vepra asgjë, sikur një lajkë të nxjerr nga pusi, kurse për veprën nuk pyet njeri. Kriteri përcaktues i nderimit është sërish politik, duke keqkuptuar mirësjelljen e shkrimtarit apo një lajthitje të tij. Në fakt kemi të bëjmë me ato qokat që e turpërojnë urtësinë edhe kur duan ta nderojnë.
E shoh Agollin me sytë e mendjes tek qëndron i menduar në mes të kësaj parodie. Ata që vinë ta urojnë vetëm për shkak të një urimi e gëzojnë por edhe e lëndojnë pa të keq. Ndoshta edhe e ironizojnë pa të keq: ja kaq do ky! Nuk e dinë të gjithë, siç e di Berisha, se për sa i përket zgjedhjes politike Agolli është një prej atyre që kanë një top, të cilin nuk e hedhin kurrë në vendin e gabuar. Prandaj nuk është aq entuziast e nukdelzbuluar si delfinët e tij politikë zoti Berisha. Ndërkaq, vetë Dritëroi, ndërsa nuk ka asnjë problem t’i lerë të kënaqen e të argëtohen me ditëlindjen e tij delfinët e pushtetit, ka gati në nënqeshjen e tij tipike një ironi akoma më të madhe për ta: ja si i bëra të spërdridhen vetëm me një urim. Kështu janë këta. Keq e paskan punën! Loja e ironive në brendësi të kësaj historie mund të jetë e këndshme në vetvete. Por përtej saj, në një rrafsh me të gjerë, nuk mund të mos shohim e të mos shqetësohemi për problematikën e rëndë që ka krijuar e vazhdon të krijojë përdorimi i kriterit apo interesit të ngushtë politik e propagandistik si kriter bazë në qëndrimin ndaj intelektualëve. Për faktin se të mëdhenjtë kanë për të gjithë, pra për dashamirësit dhe jodashamirësit, për miqtë dhe për armiqtë, kriteri politik në vlerësimin e tyre është i tillë që i ngre në qiell apo i zhyt në baltë sipas interesit dhe humoreve të çastit. Kriteri politik nuk ka vërtetësi. Duhet të bëjmë përpjekje për një hierarki zyrtare të vlerave, që nuk është e thënë tu imponohet gjithë individëve të lirë, por mund të shërbejë si panteoni përbashkues i nderimit zyrtar e kombëtar. Suksesi hap pas hapi i kësaj përpjekjeje do të kishte veç të tjerash një efekt jashtëzakonisht pozitiv në kulturën e lirisë: Lulet, telegramet, kremtimet, e tjerë e të tjerë, nuk do të ishin më një investim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë për promovimin e konformizmit, të kësaj plage të madhe të inteligjencies shqiptare. Gazeta Shekulli