English

Sistemi "TCH"

Nga Artan Lame

Kur bën vaki të ndërrojë jetë ndokush a të ketë ndonjë datë përkujtimi a lindjeje, zakoni e do që ata që e kanë njohur dhe jua ndien zemra, të ulen e të shkruajnë kujtime rreth tij. Ku e njoha e ç’më tha, si u takuam këtu a si debatuam atje. Ndërsa unë sot kam dëshirë të shkruaj për dikë që nuk e kam njohur së gjalli, Dritan Hoxhën. Ata që kujtojnë dikë që e kanë njohur, janë sidoqoftë të penguar nga ky fakt emocional, ndërsa unë bash për këtë mosnjohje besoj të jem më i ftohtë në gjykim.

Kanë thënë e janë kujtuar shumë gjëra që Dritani i krijoi për herë të parë, apo që u dha jetë sefte. Në fakt, Shqipëria e pas ’90-s, është plot me gjëra të nisura për herë të parë: firma e parë, televizioni i parë, radioja, gazeta, spitali i parë privat, anija e parë, fabrika e parë dhe të parat s’kanë fund ende sot. Nga kjo, anë e veçanta e Dritanit ndoshta qe që ato që krijoi për herë të parë, qenë më të mira se ato të të tjerëve. Është vërtet meritë të krijosh i pari një gjë, por e vështira është të vazhdosh atë udhë pioniere duke mbetur më i miri edhe kur të tjerë të të kenë ndjekur në shtegun që hape.

Ndaj është vlerë e shtuar e krijimeve të Dritanit fakti që veç që qenë të parat, ende në shumë pika mbeten të paarritura nga të tjerët që rendin në të njëjtën udhë.

Unë vetë nuk dua të përqendrohem te këto e shumë të tjera që mund t’i kujtohen kujtdo që e ka njohur Dritanin, por te diçka tjetër, që i jap më shumë vlerë jo se po e them unë, por sepse gjykoj se vërtet është një leksion për shqiptarët sot e mot.

E dini si thosh Napoleoni në inat e sipër: “Perandori i Austrisë mund të humbë 1000 beteja dhe prapë mbetet perandor, ndërsa unë po humba një betejë të vetme humbas fronin!”. Kjo është fuqia e sistemit të ngritur, funksionon edhe kur krijuesi i tij nuk është më. Dritani ia doli të ngrinte në Perandorinë e tij pikërisht këtë, një sistem vetë-funksionues. Është tamam ajo që më së shumti e kemi të vështirë ne shqiptarët, të ngremë struktura a institucione, mekanizmat e të cilave funksionojnë edhe kur krijuesi i tyre heq dorë, largohet a ndërron jetë. Shihni partitë tona, janë ende parti të kryetarit që i ngriti më 1990-n a ‘91-shin. Shihni institucionet tona, janë institucione të atij që është në krye të tyre dhe ndërrojnë me themel kur kreut i mbaron mandati. Shihni biznesin tonë, është ende biznes personal i atij që i nisi. Pa kujtoni sa gazeta, revista e media, janë ngritur në qiell nga një person a një grup personash dhe që janë tretur e harruar posaqë kanë ndërruar dorë.

Perandoria TCH, e ka humbur perandorin e vet, por vazhdon të funksionojë njësoj, me të njëjtin sistem, me të njëjtët njerëz, me të njëjtën pritshmëri, me të njëjtin bosht. Mua më rezulton të jetë e vetmja strukturë e Shqipërisë moderne që të ketë kaluar këtë provë.

Kur Hrushovin në vitin 1965 e rrëzuan nga froni, e dërguan diku në një daçë province që të ngryste ditët dhe të shkruante kujtimet. Ato nisin pak a shumë me këtë frazë: “Sistemi sovjetik i deritanishëm, parashikonte që perandori i rrëzuar pushkatohej. Unë jam i lumtur që jam gjallë, por jo për këtë, por sepse shoh që sistemi që u përpoqa të ngre, i një strukture që funksionon normalisht edhe pa krijuesin e vet paska hedhur rrënjë”.

Mendja e historianit më thotë që atje së larti Dritani është i kënaqur jo thjesht sepse Enkeli apo Rudina, Koli apo Bledi, Sandri apo Albani, vazhdojnë të bëjnë ato që bënin kur ai qe midis tyre, por se të gjithë bashkë vazhdojnë të mbajnë në jetë e të funksionojnë brenda sistemin që ai ngriti.

Lexonjës mos e merrni si për të keqe këtë fjalën “perandori”. Në fakt, nën ndikimin e komunizmës, na është ngulitur në kokë që perandoritë ishin apriori diçka e keqe, ndërsa në fakt përgjithësisht historia na mëson të kundërtën. Perandoritë janë struktura të mëdha mbi-nacionale, mbi-ideologjike, mbi-fetare, që kanë aftësinë të krijojnë hapësira të mëdha lëvizjeje brenda vetes dhe që janë të hapura e pa paragjykime për çdo lloj prurjeje të re. Të tilla kanë qenë në kohë të tyre Perandoria Romake, Perandoria Frënge, Perandoria Austro-Hungareze, ajo Britanike, apo sot ajo Amerikane. Të tilla janë perandoritë e mëdha të mediave botërore, shumëkombëshet e prodhimit e të tregtisë, Perandoria e Europës ku po duam të hyjmë, e plot të tjera. Njerëzimi ka njohur shpërthimin e ideve dhe të zhvillimit, përgjithësisht ndën perandori të tilla të hapësirës dhe të mendjes së hapur.

Dritani në këtë Shqipërinë tonë të vockël diti të ngrejë Perandorinë me siglën TCH. Dhe që ia doli të mbijetojë edhe pas krijuesit të vet dhe, për më tepër, midis një populli e shoqërie si ajo shqiptare, që ka tendencën centrifugale të copëzimit të çdo gjëje. Nuk besoj se ka ndonjëri dyshim se ç’do t’i ndodhte për shembull partisë së zotit Berisha nëse ky papritur do hiqte dorë a do largohej. Kuptohet që do shkërmoqej e do bëhej kashtë e fije, se Berisha është vërtet dorë e fortë dhe perandoritë ngrihen me dorë të fortë, por për të mbijetuar pastaj u duhet sistem.

Për mua ky është mësimi më i madh që i ka dhënë shoqërisë shqiptare ai djalë, të tjerat shkojnë e vijnë; pará tani mësuan të bëjnë të gjithë, edhe mastera tani marrin të gjithë, edhe ministra e kryeministra bëhen në daçin, por sapo lënë karrigen e gjithë struktura që kanë ngritur shkërmoqet e bëhet copë. Ditën që një strukturë e çfarëdoshme e shqiptarëve, publike a private qoftë, institucion a ndërmarrje, do arrijë t’i mbijetojë krijuesit të vet, mund të themi se Dritanin më në fund po ia dalin ta ndjekin edhe në këtë pikë, se për ta kaluar, aha s’e bëjnë dot!

"Shqip"

KOMENTE