English

Tahiri: Marrëveshjet të zbatohen deri më 20 tetor

Prishtinë, 16 tetor 2011, NOA - Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri nuk ka dhënë një datë se kur do të mbahet raundi i ardhshëm i bisedimeve, por ka thënë se diplomacia europiane po i bën presion palës serbe për t’u rikthyer pa kushtëzime në dialogun teknik. Në një prononcim për Kosovapress, udhëheqësja e delegacionit të Kosovës rikujtoi se Komisioni Europian dha opinionin e vet se përparimi i Serbisë drejt BE-së është i kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe shpërbërjen e strukturave paralele. Sa i përket marrëveshjes për lëvizjen e lirë, zonja Tahiri theksoi se në 1 nëntor, duhet të hiqen nga përdorimi tabelat ilegale të automjeteve që janë përdorur në Kosovë nga ana e serbëve që nga paslufta dhe tani ata duhet të pajisen me targa të Kosovës. Ndërsa, sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy shteteve nëpërmjet letërnjoftimeve si dhe përdorimit të lejeve të qarkullimit e sigurimit të automjeteve, zëvendëskryeministrja Tahiri tha për Kosovapress se kjo pjesë e marrëveshjes ishte parashikuar të zbatohej shumë shpejt pas arritjes së marrëveshjes, që don të thotë pas datës 2 korrik. Sipas saj Serbia e pengoi në forma të ndryshme duke e bërë të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Kpress/NOA

KOMENTE