English

Taksa për artistët

Nga Inida Zhaku

Zoti Basha, meqenëse së fundi jeni duke zbatuar heqjen e disa taksave dhe ristrukturimin e Departamentit të Kulturës dhe Rinisë, doja t´ju flisja rreth një çështjeje …që ka të bëjë pikërisht me një nga taksat që – ju kërkoj në emër të krijuesve të vetëpunësuar si unë – të rishqyrtoni. Një taksë të padrejtë dhe të tepërt për mundësitë e një artisti të lirë, puna e të cilit ka të bëjë vetëm me ide. Po jua shpjegoj më konkretisht. Për shkak të domosdoshmërisë së pasjes së një fature tatimore për bashkëpunim si krijuese e ndonjë projekt-ideje që mund të jetë me interes për një institucion të caktuar, më është dashur të regjistroj në QKR veten time si të vetmin person që punon dhe administron një lap-top ku shkruhen idetë që kam në kokën time. Mirëpo idetë shpeshherë vidhen ose nuk përfillen, nëse janë origjinale, ndaj dhe unë, megjithëse kam gati 3 vjet që e kam regjistruar këtë shoqëri që krijon ide (është e specifikuar kështu në karakteristikat e “biznesit”), kam bërë vetëm 2 fatura gjithsej. Një shifër qesharake me dy zero njëherë dhe një shifër qesharake me katër zerolekë një herë tjetër. Megjithatë, megjithëse gjithë ç’kam bërë ka qenë vetëm të përdor lap-topin tim dhe të shtrydh trutë e mia, jam taksuar nga Bashkia për disa kohë për tabelë (që nuk e kam pasur kurrë), për pastrim (që në lagjen time ka qenë një zhgënjim i madh e më shumë një shkatërrim), për gjelbërim (që është një tjetër gënjeshtër që paguhet nga qytetarët e që mungon me thellësi). Dhe i kam paguar, me gjithë gjoba, madje. Edhe pse nuk kam pasur pothuajse fare mundësi ta shfrytëzoj faturën tatimore që më duhej për të punuar, as sigurimet që më duheshin të paguaja. Dhe flas këtu për shifra me 5 zero, të cilat shpeshherë, edhe pa mundësi, jam detyruar t’i paguaj. Por, kësisoj, një artisteje të lirë që rron prej ideve të saj i vështirësohet gjithçka. Edhe financiarisht, edhe artistikisht. Pasi nën presionin e të paguarit taksa të papërballueshme dhe të pajustifikueshme, nuk mund të krijosh e të bësh atë që ke zgjedhur të bësh, por duhet të gjëmosh ndonjë punë me lekë që të mos zhytesh në borxhe. Mirëpo, në kushtet në të cilat artistët që duan të bëjnë drejtësisht dhe ndershmërisht krijimtari vendosen nga pushteti dhe shoqëria, është gati e pamundur të mos zhytesh në borxhe, dëshpërim dhe detyrime surprizë që vijnë nga Bashkia, bashkë me gjoba. Herën e fundit që më erdhi ky zarf unë shkova në Bashki dhe u ankova me shkrim duke kërkuar që të mos taksohem më për IDE (sepse është absurde të tatohesh për ide), për tabelë (pasi nuk më është dashur e nuk do të më duhet kurrë), për pastrim dhe gjelbërim (si shërbime që nuk më janë ofruar përveçse më janë përkeqësuar), për zyrë (e cila është vetëm lap-topi im). Unë këtë letër nuk po jua shkruaj vetëm në emrin tim personal, por të të gjithë atyre artistëve që detyrohen për çështje burokratike të regjistrohen si biznes dhe tatohen për shërbime që nuk i shfrytëzojnë apo nuk i kanë të nevojshme.

QKR, kur regjistron karakteristikat e biznesit, thuhet SELI dhe jo ZYRË. Selia ime është shtëpia ime. Në karakteristikat e biznesit shkruhet IDE dhe jo PRODUKT. Unë nuk e kam të sigurt shitjen e idesë, pasi idetë në këtë vend vidhen pashpirtërisht dhe barbarisht. Megjithatë, më duhet ky biznes pothuajse inekzistent për t’u vetësiguruar dhe për të qenë e gatshme të mund të bashkëpunoj me faturë tatimore në rast se do të më jepet rasti.

Sikur të bëhej pak më shumë kujdes ndaj specifikave të atyre që konsiderohen biznese dhe të krijoheshin disa nën ligje që kujdesen në mënyrë specifike për taksat e arsyeshme që u vendosen bizneseve me karakteristika specifike, si ky që ju përmenda pak më lart, do të ishte më e lehtë për krijuesit të krijonin, të punonin dhe të jetonin në këtë shoqëri. Artistët janë me dobi të madhe për çdo komb. Mbase do të ishte në nderin dhe krenarinë tuaj që listës së gjatë të arritjeve si drejtues i Bashkisë së kryeqytetit t’i shtonit edhe një kontribut e mbështetje logjike dhe të drejtë krijuesve shqiptarë, që me pak të ardhura e me shumë më pak detyrime, të mund të krijojnë ide dhe alternativa kulturore të dobishme për shoqërinë.

Besoj se duke e parë me vëmendje këtë çështje, do të gjeni një zgjidhje pozitive.

“Panorama”

KOMENTE