English

Tirana dhe piramidat

Nga Edmond Tupja

Duke pasur parasysh debatin edhe publik të këtyre kohëve të fundit lidhur të ashtuquajturën Piramidë në Tiranë, më saktë lidhur me ruajtjen e saj si “trashëgimi” …apo me shkatërrimin e saj për të ndërtuar po aty Kuvendin e ri të Shqipërisë, lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i kësaj rubrike mund të mendojë se në titullin e saj sot më ka shpëtuar një gabim: në vend të shumësit “piramidat” do të duhej njëjësi “piramida”, madje me “P” të madhe. Jo, i nderuar lexuesi im, nuk bëhet fjalë për një gabim të tillë, sepse enkas e kam vënë në shumës dhe me “p” të vogël emrin “piramidat”. Po shpjegohem: Është e vërtetë që “piramida” e parë e ndërtuar në Tiranë është ish-muzeu “Enver Hoxha” ku, sipas thënies së vetë arkitektit së asaj ngrehine, do të silleshin më vonë edhe eshtrat e diktatorit tonë. Emrin “Piramidë” ia vunë tiranasit duke u nisur, natyrisht, nga forma e saj piramidale. Por kjo “Piramidë” nuk është e vetmja që do të njihte kryeqyteti i Shqipërisë, pas ndërtimit dhe përurimit të saj në epokën e qepës moniste, si muze i Enver Hoxhës. Kështu, pas vendosjes së demokracisë e deri në fillim të vitit të mbrapshtë 1997, mbinë si kërpudhat pas shiut dhe lulëzuan, për fatkeqësinë e shumë e shumë shqiptarëve, firmat “piramidale”, shembja e të cilave solli tërë ato trazira e pështjellime socialpolitike, pasojat e të cilave ende nuk janë harruar. Në atë kohë, me sa më ka thënë miku dhe kolegu im i ri Françesk Armadhi, u pëshpërit poshtë e lart, majtas e djathtas, përpara dhe mbrapa, sikur marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Shqipërisë u tendosën deri diku sepse kjo shembje piramidash në Shqipëri, sipas gjuhëve të këqija jo vetëm shqiptare, por edhe egjiptiane, tërhoqi aq shumë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, saqë shumë turistë që ishin nisur për të vizituar piramidat e Egjiptit, ndërruan drejtim dhe erdhën në Shqipëri sepse, ngaqë ishin të keqinformuar, pandehën se piramidat shqiptare ishin vërtet diçka shumë interesante për t’u vizituar. Por, historia, ose më saktë “eventi” i shembjes së firmave piramidale tek ne u pasua, sigurisht pas shumë vitesh, me ndërtimin e një “piramide” mu në zemër të Tiranës; për hir të së vërtetës duhet pranuar që kjo “piramidë” i shfaqet syrit të kalimtarit të vëmendshëm në formën e një piramide të përmbysur, pra, pak a shumë në trajtën e një “kunji” (siç po thuhet prej rreth një viti), dhe ndodhet fare pranë monumentit të Partizanit të Panjohur. Ky “kunj”, që të paktën deri më sot nuk shquhet për ndonjë veçanti, ngjalli deri diku zhgënjim e pakënaqësi jo vetëm tek tiranasit me mend ngaqë u fshihte pamjen e malit Dajt duke stonuar edhe me pjesën tjetër të kryeqytetit të tyre, por edhe tek shkodranët. “Tek shkodranët? Si kështu?” – do të pyesë me të drejtë lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm. Po, po, tek shkodranët! Tek shkodranët sepse të drejtën për ta pagëzuar me nofkën “kunj” një ndërtesë të lartë që stonon bajagi me ndërtesat e ulëta përreth e kanë vetëm ata e askush tjetër! Vetëm ata e askush tjetër sepse, përsëri në kohën e qepës moniste, kur u ndërtua mu në zemër të Shkodrës Hotel Turizmi – ata, me humorin e tyre opozitar, ia vunë atij aty për aty nofkën Hotel Kunji! Prandaj do të kishte qenë mirë që shoqata “Tirana”, me t’i rënë në vesh lajmi se tiranasit, mes të cilëve me siguri edhe anëtarë të saj, kishin nisur ta quanin “Kunj” ngrehinën madhështore, ndonëse stonuese, në fjalë, duhej t’u kishte blerë shkodranëve të drejtën e autorit për këtë nofkë fillimisht të sajuar prej tyre në adresë të Hotel Turizmit të Shkodrës! Ky incident përbën një problem serioz edhe për të ardhmen e ristrukturimit të qendrës së Tiranës, meqenëse, siç mësova kohët e fundit nga një diplomat i huaj tepër serioz, parashikohet të ndërtohen diku rreth e qark sheshit “Skënderbej” edhe tre “kunja” të tjerë me të njëjtat përmasa. Siç e shihni, pra, e keqja s’paska fund: Po sikur, përveç këtyre të katërve në Tiranë të ndërtohen edhe disa “kunja” të tjera? Gjithsesi, druaj se mos shkodranëve do t’u mbesë kunj që bashkëkombësit e tyre tiranas nuk i respektuan në të drejtën e tyre të autorësisë! Sido që të rrokullisen punët, në përfundim të kësaj historie apo “eventi”, le të më lejohet t’i kthehem Piramidës në qendër të Tiranës. Do të prishet apo s’do të prishet ajo, kjo është shndërruar kohët e fundit në njëfarë dileme thuajse hamletiane. Mendimi im modest dhe amator është që, nëse vendoset të prishet (sepse nuk më duket që përbën ndonjë vlerë të veçantë në trashëgiminë arkitektonike të kryeqytetit tonë apo në historinë e urbanizmit shqiptar), le të ndërtohet në vend të saj diçka e bukur, kuptimplote dhe e dobishme për Tiranën e tiranasit, por, përse jo, edhe për shtetin shqiptar në fund të fundit. Diçka që të jetë simbol jete dhe jo vdekjeje si piramidat.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE
  • Ng Buzhala21:17 - 16 Tetor 2011
    ILLUMINATI (THE PERSSONS WHO WANTS TO BE THE ORDER OF THE WORLD