English

Topi: Nuk fyeva Shkodrën e as gjuhën, por Topallin

Tiranë, 16 tetor 2011, NOA- Kreu i Shtetit Bamir Topi ka reaguar sërish sot në mënyrë zyrtare, nëpërmjet Drejtorisë së Informimit Publik të Institucionit të Presidentit lidhur me vizitën e tij në qytetin e Shkodrës dhe deklaratat e lëshuara nga atje. Në mesazhin e Presidencës thuhet se, Presidenti Bamir Topi është njohur përmes burimeve zyrtare me disa deklarata e nisma të njëanshme, të pasakta dhe denigruese të ndërmarrë ndaj tij dhe institucionit që përfaqëson nga individë apo grupe të caktuara partiake lidhur me vizitën e suksesshme në Shkodër. “Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj. Mesazhi kritik i Presidentit, siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës”, thuhet në qëndrimin e Presidencës duke i adresuar edhe njëherë akuzat ndaj Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Më tej vijohet me fjalët se, çdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike. Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit thotë se, “Për këdo sot është e qartë se ky ose këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën as traditat e saj të çmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifike pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qytetarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përveç grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike”. Në përfundim theksohet vlerësimi i lartë për Shkodrën dhe gjithçka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare, ku shtohet se pikërisht në saj të këtij vlerësimi është bazuar edhe nisma e Presidentit Topi për të nderuar ditët e fundit disa nga personalitetet e saj të shquar si qëndrimit të tij permanent në mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e traditës së pasur të qytetarisë shkodrane. a.y/NOA

Në foto: Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Presidenti Bamir Topi

KOMENTE