Tiranë, 17 tetor 2011, NOA- Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat Kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë gatishmërinë për të parë përpara duke ftuar opozitën që të ulen dhe të trajtojmë në mënyrën më serioze, problemet e reformave dhe në radhë të parë atë zgjedhore. “Ne i qëndrojmë propozimit të mëparshëm dhe në rast se opozita dëshiron që me ekspertët e saj të propozojë amendamentet dhe ti dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe OSBE- OHIR ne i votojmë pa kushte, se kemi bindjen se ajo që vjen nga këto institucione është brenda standardeve kombëtare. Në rast se zoti Rama kërkon ngritjen e tryezës ku ne i kemi dhënë përgjigje me shkrim, ne jemi të gatshëm të ngremë tryezën në prani të ekspertëve të punojmë me konsensus të plotë dhe të finalizojmë në një kohë rekord reformën zgjedhore”, u shpreh Berisha. Në vijim ai shtoi se Rama nuk do deri tani të punojë për reformën sepse ai propozon një skemë tjetër, pasi vetëm reforma zgjedhore atij nuk i intereson. Sipas tij, e njëjta gjë vlen edhe për rregulloren e parlamentit, por shtoi se rregullorja duhet të jetë brenda kritereve ndërkombëtare. Kryeministri theksoi se, “Duhet tu them qytetarëve se pavarësisht nga të gjitha zoti Rama e shprehu se realizoi qëllimin e tij dhe ai ishte rrëzimi i statusit, fakti se të gjitha vendet e morën përveë Shqipërisë, tregon se ka një opozitë që ka përzgjedhur bllokimin për pengimin e integrimin si të vetmen rrugë për të ardhur në pushtet, por unë jam i bindur se kjo është një përzgjedhje e gabuar. Nuk ndodh që ndonjë opozitë të ketë prioritet pengesën e integrimit”. Ai tha më tej se komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme, ku ka patur dhe takime për të ndihmuar Shqipërinë dhe ka pasur takime enkas dhe vetëm për të ndihmuar zotin Rama, por rezultati i tyre ishte jo ai për atë që ndërkombëtarët punonin. Ndërkaq Berisha tha se Rama për 2 vite kërkoi hapjen e kutive, por e vetmja gjë që ndodhi është se PS u fut në kuti sepse harroi të përmbushi misionin e vet të opozitës, të kritikës dhe kontrollit. Në përfundim ai ftoi kryesocialistin se në rast se dëshiron reformën zgjedhore, duhet të ulen në kushte pariteti. a.y/NOA
Në foto: Kryeministri Berisha dhe kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi