English

Deputetët e PS: Të pezullohet Berisha nga seancat e Kuvendit

Tiranë, 17 tetor 2011, NOA- Një grup deputetësh socialist kanë bërë një kërkesë për mbledhjen e Byrosë së Kuvendit. Në letrën drejtuar Kryeparlamentares Topalli kërkohet pezullimi i Kryeministrit Berisha nga seancat parlamentare për 15 ditë. Në qëndrimin e të zgjedhurve socialist kërkohet që Byroja e Kuvendit të marrë masë, pasi Kryeministri Berisha ka përdorur fjalor që nuk përputhet kërkund me frymën e dialogut politik konstruktiv në sallën e parlamentit, me respektin ndaj përfaqësuesve të opozitës por edhe ndaj vetë qytetarëve, por mbi të gjitha ka shkelur haptazi përcaktimet e Rregullores së Kuvendit për sjelljen e deputetëve në sallën e Parlamentit. Sipas tyre, deputeti Sali Berisha është drejtuar me fjalë fyese ndaj deputetëve të opozitës duke mos kursyer as kërcënimet ndaj deputetit Saimir Tahiri të cilit iu drejtua me shprehjen “Do të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucën”. “Kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione nga 2 deri në 15 ditë”, thuhet në kërkesën e deputetëve të selisë rozë.

KERKESË PER MBLEDHJEN E BYROSE SE KUVENDIT

Drejtuar : Kryetares së Kuvendit , Zonjës TOPALLI

Zonja Kryetare, Ne seancën e datës 13 Tetor 2011, deputeti Sali Berisha, në mënyre të përsëritur gjatë fjalës së tij, përdori ndaj deputeteve të opozitës fjalë fyese dhe kërcënuese, duke shkelur jo vetëm çdo rregull etik dhe moral, por njëkohësisht dhe përcaktimet e Rregullores së Kuvendit sa i përket rregullit dhe sjelljes së deputetëve në Kuvend gjatë seancave plenare. Deputeti Sali Berisha është drejtuar me fjalë fyese ndaj deputetëve të opozitës duke mos kursyer as kërcënimet ndaj deputetit Saimir Tahiri të cilit iu drejtua me shprehjen “Do të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucën”. Për më tepër, kjo shprehje dhe ky fjalor, është sjellje e përsëritur e të njëjtit deputet, edhe pse nuk është ndëshkuar kurrë siç parashikon Rregullorja e Kuvendit. Për këto arsye: Duke besuar se sjellja dhe fjalori i përdorur nga deputeti Sali Berisha nuk përputhet kërkund me frymën e dialogut politik konstruktiv në sallën e parlamentit, me respektin ndaj përfaqësuesve të opozitës por edhe ndaj vetë qytetarëve, por mbi të gjitha shkel haptazi përcaktimet e Rregullores së Kuvendit për sjelljen e deputetëve në sallën e Parlamentit; Bazuar në nenin 65, pika 2 të Rregullores sipas të cilës “Kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione nga 2 deri në 15 ditë”; Kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të Byrosë së Kuvendit për të marrë masën disiplinore të ndalimit 15 ditë të pjesëmarrjes në seance plenare ndaj deputetit Sali Berisha si dhe me sanksionin financiar të mbajtjes së pagës për aq ditë sa zgjat masa disiplinore. Me besim në korrektësinë dhe paanshmërinë e zbatimit të Rregullores së Kuvendit ndaj të gjithë deputetëve pa asnjë përjashtim, bashkëlidhur firmat e deputetëve propozues. a.y/NOA

KOMENTE