Katar, 17 tetor, NOA - Emiri i shtetit të Katarit, Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani, ka nisur një tour disa-ditor në Evropën Lindore, mes të cilit ka parashikuar të kryejë edhe një vizitë të posaçme në Shqipëri. Lajmi bëhet me dije nga mediat arabe, sipas të cilave, touri i Emirit të Katarit ka nisur tashmë në Maqedoni, ku ai ka mbërritur sot pasdite në krye të një delegacioni për një vizitë dy-ditore. Më pas, turneu i tij bëhet me dije se do të përfshijë Shqipërinë, Ukrainën dhe Poloninë.
Emiri i Katarit njihet si një mik i Shqipërisë dhe e ka vizituar atë për herë të fundit në fillim të vitit të kaluar, ku tema e bisedimeve më palën shqiptare, ka qenë ajo e transportit të gazit. Katari zotëron rreth 14 për qind të rezervave botërore të gazit natyror dhe është një eksportues i rëndësishëm i gazit të lëngëzuar.
Ndërsa kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e vizitoi Katarin në mars të vitit 2009, ku u diskutua për mundësinë e zhvillimit të një terminali për përpunimin e gazit në Shqipëri.
Ndërkaq, gjatë një konference të organizuar nga Banka Islamike për Zhvillim, ku njoftua se ekziston një plan, në bazë të të cilit Shqipëria mund të furnizoje me ujë të pijshëm Katarin, duke përdorur të njëjtat çisterna që do të përdoren për të sjellë gazin e lëngshëm në Shqipëri.
n.e/NOA
Në Foto:Kryeministri Berisha me Emirin e Katarit