Shkup, 17 tetor 2011, NOA – Pas vizitave në Shqipëri, Kosovë, Poloni dhe Ukrainë emiri i Katarit, Sheik Hamad Bin Kalifa Al Tani do të mbërrijë sot në Maqedoni në kuadër të një vizite dyditore zyrtare. Kjo do të jetë vizita e parë e një mbreti të botës arabe në Maqedoni. Emiri i Katarit do të zhvillojë takime me krerët më të lartë shtetërorë të Maqedonisë, personalitete të jetës kulturore dhe fetare. Në axhendën e tij është parashikuar edhe një vizitë në vendet e trashëgimisë kulturore – historike dhe në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Emiri i Katarit është ftuar nga presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov. Gjatë takimit të dy autoriteteve do të vlerësohet dhe intensifikohet bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, ku theks i veçantë do t’i jepet tërheqjes së investimeve arabe në Maqedoni. Në kuadër të vizitës të emirit të Katarit Sheik Hamad Bin Kalifa Al Tani do të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale, marrëveshja për nxitjen e investimeve, rregullimin e marrëdhënieve të punës, etj. Në kuadër të delegacionit zyrtar të Katarit do të jenë mbi 100 mysafirë, mes tyre dy anëtarë të familjes mbretërore dhe 12 ministra. INA/NOA