English

Gjuha amtare, përballja Topi – Topalli dhe Bashkimi Europian

Tiranë, 17 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Presidenti i vendit Bamir Topi që nga Ura Vajgurore ka kërkuar nga institucionet e vendit që të nisin punën për të përmbushur me seriozitet 12 rekomandimet e Bashkimit Europian në mënyrë që të ecet përpara për integrimin. Ndërsa duke devijuar dhe shmangur përgjigjen ndaj gazetarëve lidhur me debatet e fundit mes tij dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, Kreu i Shtetit ka cilësuar si prioritare çështjen e integrimit. “Presidenti ka filluar një veprimtari intensive që i takon javës dhe ju siguroj që gjatë javës do të kem një agjendë shumë të ngarkuar, e cila vijon nga detyrimet institucionale të Presidentit, por edhe në vijim të asaj agjende integruese për Shqipërinë, të cilën besoj se duhen ta kenë të gjitha institucionet. Të gjithë së bashku duhet të punojmë me shumë përkushtim për këtë agjendë për t’iu përgjigjur, secili në institucionin e tij, por edhe të gjithë së bashku asaj që ka thënë edhe Komisioni i Bashkimit Evropian. Besoj se edhe ju do t’i kontribuoni kësaj klime”, tha Topi.

Përplasja, Sekui: Flisni gjuhën e bashkimit

Pas replikës mediatike, mes dy prej drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sekui, i cili i inkurajoi palët të përdorin gjuhën e bashkimit dhe jo atë të përçarjes. "Në vende të ndryshme flasin dialekte të ndryshme. Edhe unë jam i dashuruar pas një gjuhe të veçantë, por jam i mendimit se gjuha më e mirë është gjuha e bashkimit. Nëse ju do të më pyesnit mua cila gjuhë më pëlqen përgjigjia ime është e thjeshtë: Gjuha ime e preferuar është gjuha e bashkimit", nënvizoi Sekui pas një takimi në Shkodër. Përplasja Topi-Topalli erdhi të premten kur, pasi Presidenti Topi riktheu në Kuvend ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve,ai u akuzua publikisht nga Topalli se është i majtë dhe se ka fyer rëndë karrigen e Presidentit të Republikës duke u bërë palë me opozitën. Nisur nga këto akuza, Presidenti Topi një ditë më vonë, pra mbrëmjen e të shtunës deklaroi nga Shkodra se "Së pari këto zotërinj duhet të dinë të komunikojnë në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara jo sipas vullneteve të individëve të caktuar, por sipas Kushtetutës. Unë gjej rastin të rishpreh edhe një herë atë vullnet të shprehur nëpërmjet dekretit tim. Mund t'ju them që të gjitha betejat e karakterit juridik, që janë zhvilluar, konsiderohen të fituara nga Institucioni i Presidentit, mjafton të merrni në konsideratë atë që ka qenë çështja më e ndjeshme, çështja e pronave. Gjykata Kushtetuese i shkoi në sintoni, sipas të drejtës, vendimmarrjes që pati Presidenti për ta kthyer". Por, Kryetarja e Kuvendit pas pak minutash mbrëmjen e të shtunës do t'i kundërpërgjigjej Presidentit duke e cilësuar atë si Haxhi Qamil që nuk mund ta kuptojë shqipen e saj, që sipas Topallit është shqipja e Fishtës, Migjenit e Gurakuqit.

Përplasja me presidentin Topi, selia blu distancohet nga Topalli

Përplasja më e fundit mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli mund t'u shërbejë demokratëve për të kërkuar shkarkimin nga detyra të Kreut të Shtetit. Por, nisur nga reagimet e palëve duket qartë se Partia Demokratike nuk do të përfshihet në betejën e nisur nga Jozefina Topalli. Selia blu nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar lidhur me konfliktin që ka shpërthyer mes nënkryetares së Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës, dikur ish-nënkryetar i kësaj partie. As vetë lideri i demokratëve, kryeministri Berisha nuk është shprehur lidhur me këtë përplasje, ndonëse kishte rastin të reagonte publikisht në një aktivitet me rastin e 30 –vjetorit të pontifikimit të Papa Gjon Palit të Dytë. Selia blu ka lënë të nënkuptohet se kjo është një betejë personale mes zonjës Topalli dhe Presidentit Topi dhe se nuk ka të bëjë me qëndrimin e mazhorancës ndaj Kreut të Shtetit. Ndaj dhe një kërkesë për shkarkimin e Presidentit duket pothuajse e pamundur për vetë riskun e lartë që do të kishte një aksion i tillë politik. Mbështetja që Kreu i Shtetit ka në grupin e deputetëve demokratë hedh poshtë çdo mundësi që një nismë e tillë të ketë sukses. Në mbështetje të Kryetares Topalli dolën një grup të rinjsh nga Shkodra dhe disa personazhe të kulturës nga ky qytet, të cilët kritikuan Presidentin Topi për fyerje ndaj dialektit geg. Notat patriotike që zonja Topalli i dha përplasjes me Kreun e Shtetit duket se kanë qenë një zgjedhje personale e vetë Kryetares së Kuvendit në luftën e nisur ndaj Presidentit të Republikës. Ndaj dhe zoti Topi nuk ka nguruar t'i hedhë poshtë ato si të keqinterpretuara dhe të motivuara nga sjellja jo etike e Kryetares së Kuvendit. a.q/NOA

KOMENTE