Tiranë, 17 tetor 2011, NOA - Kryetarja e Asamblesë Kombëtarë të Pakistanit është pritur edhe nga ministri i jashtëm, Haxhinasto. Sipas deklaratës zyrtare të MPJ, Haxhinasto theksoi nevojën për organizimin e Komisionit të Përbashkët Dypalësh, i cili do të shërbejë për njohjen konkretisht të këtyre mundësive, sidomos në fushën energjitike, të bujqësisë, por dhe në fusha, si arsim, kulture etj, duke nënvizuar rëndësinë e afrimit dhe bashkëpunimit mes dy komuniteteve të biznesit. Ai sugjeroi dhe një takim të përfaqësuesve të Dhomave të Tregtisë mes dy vendeve për të nxitur investimet e biznesit respektiv. Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Republikës Islamike të Pakistanit, Fahmida Mirza, pasi falënderoi për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë vendit të saj në organizatat ndërkombëtare, si dhe në luftën kundër terrorizmit, shprehu besimin në zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme në të ardhmen. Duke vlerësuar kontributin e Shqipërisë në Afganistan, kryetarja e parlamentit të Pakistanit theksoi se pa paqe në Afganistan, nuk ka paqe në gjithë rajonin. a.q/NOA