English

Hetimet kundër Fatmir Limaj pa asnjë provë

Prishtinë, 17 tetor 2011, NOA - Hetimet e EULEX-it ndaj ish-ministrit të Transporteve të Kosovës Fatmir Limaj mbi dyshimet për keqpërdorim të 80 milionë eurove në këtë dikaster janë zhvilluar pa asnjë provë konkrete. Këtë e ka deklaruar ish-oficeri i EULEX-it, Troj Wilkinson. Në një intervistë për RTK-në, Wilkinson u shpreh se duke qenë se hetimet ndaj Limajt nisën pa asnjë provë është krijuar një përshtypje në ekipin e hetuesve se ky rast i shërben një axhende politike. “Sa i përket anës teknike, unë mund të flas për atë që kam parë dhe me të cilën jam marrë. Nuk ka pasur asnjë provë, e cila është gjetur me këtë rast. Para këtyre hetimeve kam qenë i përfshirë në takimet me prokurorë dhe shefat e mi. Dhe në këto takime direkt kemi dëgjuar prokuroren Izabel Arnal, e cila ka thënë se nuk i intereson a ka prova, a jo. Ajo e donte Fatmir Limaj në burg. Ajo këtë ia ka thënë edhe shefit tim dhe shefit për krime të organizuara. Ajo ka insistuar më shumë se një herë që Limaj të arrestohej. Ka patur shumë njerëz që e kanë dëgjuar këtë, jo vetëm unë, dhe mendoj se ata kanë frikë të dalin jashtë dhe të tregojnë se çka kanë dëgjuar, sepse frikësohen mos e humbasin punën”, tha Wilkinson. Ëilkinson e lidh rastin Limaj me një axhendë politike dhe presione të shumta. Ai nuk specifikoi se kush i kishte bërë presion prokurores Izabel Arnal, e cila insistoi me çdo kusht që ta burgosë Limajn. “Një gjë është e qartë, Prokuroria e donte Limajn në burg”, theksoi Wilkinson, i cili ka qenë oficer i policisë në Departamentin Ekzekutiv për krimin e organizuar, krime lufte dhe terrorizëm në kuadër të EULEX-it. Ish-oficeri i EULEX-it shprehet i gatshëm që të dalë edhe para gjykatës dhe të japë deklaratën e tij, se në rastin Limaj nuk është gjetur asnjë provë dhe se serverët e Ministrisë së Transportit, që ishin konfiskuar nga EULEX-i, nuk ishin fshirë siç ishte deklaruar më herët. Nga ana tjetër, zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat e ish-punonjësit të këtij misioni, duke thënë se hetimet kundër Limajt po bëhen në bazë të provave. Kosovapress/NOA

KOMENTE
  • Orges Dragusha10:03 - 17 Tetor 2011
    normal se nuk asnje prove per njeriun m ete mire ne kosove dhe me te sinqert ky njeri ne te ardhem do te jete presidenti i kosoves (QELIKU)