Tiranë, 17 tetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, që në orët e para të mëngjesit kthjellimet do të dominojnë pothuajse në të gjithë territorin Shqiptar përjashtuar zonat malore të cilat do të kenë herë pas here kalime vranësirash. Në mesditë i gjithë vendi do të jetë me mot të kthjellët dhe të ftohtë. Në kushte të qëndrueshme atmosferike do të mbetemi edhe gjatë pasdites ku kthjellimet do të dominojnë në të gjithë vendin, sërish në zonat malore do të ketë vranësira të lehta. Në mbrëmje dhe gjatë natës i gjithë vendi do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët por të ftohtë. Për sa i përket situatës termike, temperaturat e ajrit do të rriten me 2 gradë në vlerat e mëngjesit por mesdita do të ruajë vlera konstante të temperaturave në vend. Era do të fryjë e lehtë me shpejtësi 22 km/h dhe drejtim verilindor, kjo do të bëjë që dallgëzimi në Adriatik dhe Jon të jetë i ulët. Europa Nesër, Europa veriore dhe veriperëndimore do të mbeten në kushtet e motit të paqëndrueshëm, pasi vranësirat dhe reshjet e shiut do të jenë dominuese. Sërish situata problematike do të paraqitet në Suedi dhe Ishujt Britanike pasi reshjet do të bien me intensitet të lartë dhe do të shoqërohen me stuhi të forta ere. Po ashtu vranësira dhe reshje të konsiderueshme shiu do të ketë në Europën Qendrore kryesisht në Gjermani ku shirat do të bien në formë rrebeshi dhe do të sjellin ulje të temperaturave në të dy vlerat. Gjithashtu edhe Europa Juglindore do të mbetet me shira dhe dëborë të pakët. Për sa i përket Mesdheut dhe Ballkanit masat ajrore të ftohta dhe të thata që vijnë nga lindja e kontinentit do të kushtëzojnë mot të kthjellët por të ftohtë. Ndërsa Europa jugperëndimore dhe Lindore do të karakterizohen nga kushte të qëndrueshme të motit.
Ngjarje ekstreme në Europë: - Gjermania do të alarmoje për reshje shiu dhe stuhi të forta ere - Ishujt Britanike do të mbeten me shira të konsiderueshëm - Suedia do të rrezikohet për shira dhe dëborë të pakët a.y/NOA