Shkodër, 17 tetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas përplasjes mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar nga Shkodra Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, i cili i inkurajoi palët të përdorin gjuhën e bashkimit dhe jo atë të përçarjes. Duke iu referuar përplasjes mes dy autoriteteve të larta të vendit, ambasadori Sequi tha se “Në vende të ndryshme flasin dialekte të ndryshme. Edhe unë jam i dashuruar pas një gjuhe të veçantë, por jam i mendimit se gjuha më e mirë është gjuha e bashkimit”. “Nëse ju do të më pyesnit mua cila gjuhë më pëlqen përgjigjia ime është e thjeshtë: Gjuha ime e preferuar është gjuha e bashkimit”, nënvizoi ambasadori i Bashkimit Europianë në Tiranë, Ettore Sequi. Pas replikimit në distancë mes Presidentit e Kryeparlamentares Topalli, dhe deklaratave që pretendonin se Presidenti me qëndrimin e tij shprehte qëndrim enverist kundër dialektit geg, zyra e shtypit e Presidentit të Republikës sqaroi se “Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale, Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj. Mesazhi kritik i Presidentit, siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës”, thuhej shprehimisht në njoftimin zyrtar të Presidencës. Përplasja Topi-Topalli erdhi të premten kur pasi Presidenti Topi riktheu në Kuvend ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve ai u akuzua publikisht nga Kryeparlamentarja Topalli se është i majtë dhe se ka fyer rëndë karrigen e Presidentit të Republikës duke u bërë palë me opozitën. Nisur nga këto akuza, Presidenti Topi një ditë më vonë, pra mbrëmjen e të shtunës deklaroi nga Shkodra se “Së pari këto zotërinj duhet të dinë të komunikojnë në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara jo sipas vullneteve të individëve të caktuar, por sipas Kushtetutës. Unë gjej rastin të rishpreh edhe një herë atë vullnet të shprehur nëpërmjet dekretit tim. Mund t’ju them që të gjitha betejat e karakterit juridik, që janë zhvilluar, konsiderohen të fituara nga Institucioni i Presidentit, mjafton të merrni në konsideratë atë që ka qenë çështja më e ndjeshme, çështja e pronave. Gjykata Kushtetuese i shkoi në sintoni, sipas të drejtës, vendimmarrjes që pati Presidenti për ta kthyer”.
Përplasja me presidentin Topi, selia blu distancohet nga Topalli
Përplasja më e fundit mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli mund t’u shërbejë demokratëve për të kërkuar shkarkimin nga detyra të Kreut të Shtetit. Por, nisur nga reagimet e palëve duket qartë se Partia Demokratike nuk do të përfshihet në betejën e nisur nga Jozefina Topalli. Selia blu nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar lidhur me konfliktin që ka shpërthyer mes nënkryetares së Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës, dikur ish-nënkryetar i kësaj partie. As vetë lideri i demokratëve, kryeministri Berisha nuk është shprehur lidhur me këtë përplasje, ndonëse kishte rastin të reagonte publikisht në një aktivitet me rastin e 30 –vjetorit të pontifikimit të Papa Gjon Palit të Dytë. Selia blu ka lënë të nënkuptohet se kjo është një betejë personale mes zonjës Topalli dhe Presidentit Topi dhe se nuk ka të bëjë me qëndrimin e mazhorancës ndaj Kreut të Shtetit. Ndaj dhe një kërkesë për shkarkimin e Presidentit duket pothuajse e pamundur për vetë riskun e lartë që do të kishte një aksion i tillë politik. Mbështetja që Kreu i Shtetit ka në grupin e deputetëve demokratë hedh poshtë çdo mundësi që një nismë e tillë të ketë sukses. Në mbështetje të Kryetares Topalli dolën një grup të rinjsh nga Shkodra dhe disa personazhe të kulturës nga ky qytet, të cilët kritikuan Presidentin Topi për fyerje ndaj dialektit geg. Notat patriotike që zonja Topalli i dha përplasjes me Kreun e Shtetit duket se kanë qenë një zgjedhje personale e vetë Kryetares së Kuvendit në luftën e nisur ndaj Presidentit të Republikës. Ndaj dhe zoti Topi nuk ka nguruar t’i hedhë poshtë ato si të keqinterpretuara dhe të motivuara nga sjellja jo etike e Kryetares së Kuvendit. Debati në distancë mes Presidentit dhe Kryeparlamentares erdhi pasi mbrëmjen e të shtunës Kreu i Shtetit duke iu referuar akuzave të mëhershme të zonjës Topalli pas rikthimit në Kuvend të ligjit për menaxhimin e mbetjeve urbane, ku ajo e akuzoi Kreun e Shtetit si të majtë dhe madje anti-europian, zoti Topi iu kundërpërgjigj duke thënë se spikerit i duhet të recitojë tekstet që i japin për të lexuar, duke nënvizuar se spikeri mjafton që t’i recitojë ato mirë. Në këtë kuptim Presidenti duke e cilësuar kryeparlamentaren spikere të Kuvendit i tha kësaj të fundit që para se të ndërmarrë akuzat ndaj tij duhet të mësojë artin e të komunikuarit me Institucionin e Presidentit, duke e inkurajuar madje që të mësojë edhe shqipen letrare. Por, Kryetarja e Kuvendit pas pak minutash mbrëmjen e të shtunës do t’i kundërpërgjigjej Presidentit duke e cilësuar atë si Haxhi Qamil që nuk mund ta kuptojë shqipen e saj, që sipas Topallit është shqipja e Fishtës, Migjenit e Gurakuqit. Por, Presidenti nuk e la me kaq, pasi ai me një mesazh të shkurtër përmes zyrës së shtypit të Presidencës bëri me dije se Fishta dhe Migjeni do të ndiheshin të fyer nga gjuha e kryeparlamentares. mit/NOA